Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga Muzeu Arkivor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, të cilin e ka cilësuar si “Tempulli i Dokumenteve”.
Përmes një postimi, kreu i qeverisë ka prezantuar ambientet e muzeut, duke theksuar ndërthurjen e trashëgimisë historike me teknologjinë moderne.
Sipas Ramës, kjo hapësirë u mundëson vizitorëve të njihen me të kaluarën përmes dokumenteve arkivore, materialeve fotografike, regjistrimeve zanore dhe elementeve ndërvepruese.
“Mirëmëngjes dhe me ‘Tempullin e Dokumenteve’, Muzeun Arkivor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, një hapësirë e re ku historia takohet me teknologjinë dhe vizitori e zbulon të shkuarën përmes dokumenteve, imazheve, zërit dhe ndërveprimit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Muzeu Arkivor synon t’i sjellë publikut më pranë dokumentet dhe dëshmitë historike të ruajtura në arkivat shqiptare, duke ofruar një mënyrë bashkëkohore të njohjes me historinë e vendit.


