Nga: Mero Baze
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi më 7 tetor se do të ndërpresë menjëherë bashkëpunimin me këshilltarët Chris LaCivita dhe James Blair nëse angazhimet e tyre për klientë të tjerë krijojnë konflikt interesi. Reagimi erdhi pas raportimit të The New York Times se të dy kishin ofruar këshillim për çështje zgjedhore në Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, ku pushtetin e kontrollon partia e Milorad Dodikut. Sipas raportimit, klienti formal ishte qeveria e këtij entiteti dhe secili kishte marrë qindra mijëra dollarë përmes një firme avokatie në Uashington. Trump deklaroi se LaCivita dhe Blair janë konsulentë të jashtëm, të lirë të punojnë për të tjerë, por shtoi se do të kërkojë informacion për klientët e tyre për të vlerësuar konfliktet e mundshme të interesit.
Paralajmërimi i Trumpit ngre pikëpyetje edhe për angazhimin e LaCivitës me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, dhe për ndërthurjen e interesave të klientëve të tij me ndikimin pranë presidentit amerikan.
Në fushatën elektorale të vitit 2025, LaCivita u kontraktua nga Berisha me një kontratë dyvjeçare me firmën Continental Strategy, ku përfshiheshin dhe përpjekjet për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Berishës. Përveç kësaj kontrate, angazhimi i tij në fushatën e Berishës është raportuar edhe veçmas.
Shpenzimet janë ende të padeklaruara. Vetë Berisha ka pranuar se një ish-elektricist nga “Valbona” ka paguar 6 milionë dollarë në New York për heqjen e sanksioneve, por që arriti vetëm t’i siguronte një “vizë me një hyrje”, pa i prekur sanksionet “non grata”, të cilat janë ende në fuqi.
Ambasadori i ri i SHBA-së, që sapo ka ardhur në Tiranë, ruajti standardin e personave nën sanksione, duke mos e thirrur atë në pritjen e Ambasadës së SHBA-së dhe duke ftuar politikanë të tjerë nga PD-ja.
Rasti i Berishës për LaCivitën është më i rëndë se ai i Dodikut. Me Dodikun, i cili ka qenë nën sanksione nga Departamenti i Thesarit, ekziston mundësia e heqjes së sanksioneve dhe LaCivita e arriti duke bërë një marrëveshje për largimin e tij formal nga politika.
Me Sali Berishën, LaCivita është në konflikt direkt, pasi ai është një politikan aktiv dhe fushata elektorale, e cila u bë në emër të presidentit Trump, bie tërësisht ndesh dhe krijon konflikt interesi me punën e tij si lobist. Ai përdori në fushatë detaje personale nga stafi i presidentit Trump, siç ishte rasti qesharak i urimit nga Shkodra për shefen e stafit të presidentit Trump, apo duke botuar fotografi te dera e Air One, a thua se po hipte për të folur për Sali Berishën.
Në këto kushte, ai që mori së paku 6 milionë dollarë për t’i rregulluar punët Berishës në Uashington ka shumë shanse t’i prishë punë vetes, duke u përjashtuar nga lista e afërt e këshilltarëve të Trumpit për konflikt interesi, pasi ka mashtruar një klient në Shqipëri, duke u shtirur sikur po blen presidentin Trump për t’i hequr atij sanksionet “non grata”.
Nuk di në ka ndonjë pikë në kontratë për t’i kthyer paratë në rast se nuk ia hiqnin sanksionet “non grata”, por edhe sikur të jetë, tani LaCivita mund t’i kërkojë dëmshpërblim Berishës, se mund ta lërë pa punë fare në Uashington.


