Shtetet e Bashkuara dhe Greqia do të nisin një program të ri të përbashkët për shkëmbimin e informacionit në luftën kundër terrorizmit, bëri të ditur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, Rubio tha se marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve për përballimin e kërcënimeve të përbashkëta të sigurisë.
Sipas tij, Greqia është veçanërisht e ekspozuar ndaj sfidave që lidhen me migracionin masiv, trafikimin e qenieve njerëzore dhe forma të ndryshme të terrorizmit.
“Nuk duam në asnjë rrethanë që vendlindja e Perëndimit të kërcënohet nga vendime të këqija, mosveprim apo dështimi për të përballuar sfidat”, deklaroi Rubio, duke e cilësuar Greqinë një “aleate të fortë dhe model në NATO” dhe një “burim stabiliteti në një botë të paqëndrueshme”.
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, deklaroi nga ana e tij se Athina është e gatshme të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe të ofrojë ndihmë detare në Ngushticën e Hormuzit, nëse krijohen kushtet për një proces të qëndrueshëm paqeje.
Vizita e Rubio në Athinë është pjesë e turit të tij evropian në Islandë, Greqi dhe Portugali, me fokus bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes, energjisë dhe ekonomisë.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin grek, Rubio pritet të mbajë edhe një fjalim në kodrën Pnyx, pranë Akropolit, një nga vendet simbolike të demokracisë së lashtë athinase.
Sipas pjesëve të fjalimit të bëra publike paraprakisht, sekretari amerikan i Shtetit pritet të bëjë thirrje për një “ripërtëritje të frymës perëndimore”, duke lidhur vlerat e Greqisë së lashtë me politikën e jashtme të administratës Trump dhe me rëndësinë e sovranitetit kombëtar.
Rubio komentoi gjithashtu polemikat rreth ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas shqetësimeve të ngritura në SHBA dhe nga opozita greke mbi raportimet se ajo kishte kërcënuar me përdorimin e ndikimit amerikan kundër qeverisë greke.
I pyetur nëse sjellja e ambasadores ishte në përputhje me standardet etike të Departamentit të Shtetit, Rubio e mbrojti atë.
“Ambasada jonë këtu po bën një punë shumë të mirë. Ambasadorja jonë ka qenë një ambasadore e fortë këtu”, deklaroi ai.


