Vance vendos kusht për marrëveshjen me Iranin: Duhet të ulë ndjeshëm pasurimin e uraniumit

07 Oct 2026 • 16:19
Shpërndaje:

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance ka deklaruar se Irani duhet të reduktojë në mënyrë të ndjeshme kapacitetin e tij për pasurimin e uraniumit nëse kërkon një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe përfundimin e konfliktit shtatëmujore mes dy vendeve.

Në një intervistë për Reuters, Vance tha se Uashingtoni nuk do të mjaftohet me premtime për kufizime të ardhshme, por kërkon hapa konkretë nga Teherani.

“Nëse nuk doni një armë bërthamore, pse keni nevojë për karburant të pasuruar 60%?”, tha Vance, duke argumentuar se një reduktim real i kapaciteteve të pasurimit do të ishte provë se Irani nuk synon zhvillimin e një arme bërthamore.

Reklamë Ola

“Ne nuk do të shkëmbejmë fjalë me veprime”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer propozime gjatë javëve të fundit për përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një nga arteriet kryesore të transportit të naftës dhe gazit në botë. Teherani ka paraqitur një sërë kushtesh për rihapjen e ngushticës, ndërsa administrata Trump ka kërkuar lëshime në çështjen bërthamore.

Reklamë InterMedika

Vance tha se Uashingtoni mbetet i hapur ndaj një marrëveshjeje, por këmbënguli se Irani duhet të ndërmarrë veprime konkrete për programin e tij bërthamor. Nga ana tjetër, Teherani vazhdon ta konsiderojë të drejtën për pasurimin e uraniumit si një vijë të kuqe në negociata.

Zëvendëspresidenti amerikan foli gjithashtu për pasigurinë e Uashingtonit lidhur me mënyrën se si merren vendimet në strukturën aktuale të pushtetit iranian. SHBA-ja është në kontakt me presidentin Masoud Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi, por sipas Vance nuk është gjithmonë e qartë se kush ka autoritetin përfundimtar për të marrë vendime.

Ai u ndal edhe te situata në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se forcat iraniane kanë arritur të godasin disa anije tregtare, por nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë plotësisht flukset e naftës dhe gazit përmes kësaj rruge strategjike.

Të dhënat e fundit tregojnë se eksportet e naftës nga Lindja e Mesme u rikuperuan ndjeshëm gjatë shtatorit, megjithëse sulmet ndaj anijeve dhe pasiguria e sigurisë vazhdojnë të mbajnë të larta kostot dhe rreziqet për transportin.

I pyetur nëse ai po drejton personalisht negociatat me Iranin, Vance tha se është i përfshirë ngushtë në proces, por nënvizoi se vendimet përfundimtare për politikën amerikane i merr presidenti Donald Trump.