Qeveria prezanton modelin e ri të prokurimeve, 118 milionë euro për ujësjellësin e Durrësit

07 Oct 2026 • 16:17
Shpërndaje:

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kanë dhënë detaje mbi disa prej çështjeve të diskutuara dhe projekteve të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Ibrahimaj u ndal te reforma e prokurimeve publike, duke bërë të ditur se qeveria synon një sistem më të centralizuar, transparent dhe të gjurmueshëm, ndërsa brenda vjeshtës pritet të nisin procedurat për përdorimin e inteligjencës artificiale në këtë fushë.

“Jemi në fazat e fundit të finalizimit të detajeve dhe, duke qenë se presim që shumë shpejt, pra brenda vjeshtës së këtij viti, të fillojmë me procedurat e përdorimit të inteligjencës artificiale në prokurimet publike, donim të rishikonim mënyrën se si ato bëhen”, deklaroi ministrja.

Reklamë Ola

Sipas Ibrahimajt, një pjesë e rëndësishme e modelit të ri do të jetë rritja e aksesit të qytetarëve në informacionin mbi tenderët dhe zbatimin e kontratave, përmes platformës “Pasqyrë Albania”. Platforma është prezantuar nga qeveria si një mekanizëm për publikimin e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare.

Ajo tha se Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të marrë më shumë peshë në proces, ndërsa sistemet e Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe institucioneve të tjera do të sinkronizohen deri te faza e fiskalizimit.

Reklamë InterMedika

“Në këtë mënyrë, në çdo moment, fondet publike do të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente për të gjithë ata që do të jenë të interesuar”, tha Ibrahimaj.

Në të njëjtën dalje, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi disa projekte infrastrukturore dhe marrëveshje të miratuara nga qeveria.

Një prej tyre është marrëveshja me Francën për rehabilitimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve të Durrësit, një projekt me vlerë 118 milionë euro. Sipas ministrit, projekti përfshin edhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Karakaçi njoftoi gjithashtu se Bashkimi Evropian ka alokuar një grant prej 50 milionë eurosh për ndërhyrje në zonat e Porto Romanos, Spitallës dhe Shkozetit.

Një tjetër projekt i miratuar lidhet me përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit të Tiranës, përfshirë zëvendësimin dhe modernizimin e tubacioneve dhe instalimin e matësve inteligjentë.

Qeveria ka miratuar gjithashtu një projekt prej 22 milionë eurosh për rritjen e eficiencës energjetike në 50 shkolla publike. Sipas Karakaçit, godinat do të rehabilitohen dhe do të pajisen me sisteme termoizoluese dhe panele diellore.

Karakaçi mban postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë që prej marsit 2026.