Rama: 400 biznese në proces për “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, 32 kredi të miratuara

07 Oct 2026 • 16:15
Shpërndaje:

Rreth 400 biznese janë aktualisht në proces në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa deri tani janë miratuar 32 kredi me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh, bëri të ditur kryeministri Edi Rama.

Duke folur përpara përfaqësuesve të bizneseve të vogla dhe të mesme, Rama tha se interesi për skemën është në rritje dhe se ritmi i aplikimeve dhe miratimeve është përshpejtuar.

Sipas kryeministrit, programi është krijuar për të mbështetur sipërmarrjet që kanë kaluar fazën fillestare të zhvillimit, por që kanë nevojë për financim për të zgjeruar dhe modernizuar aktivitetin e tyre.

Reklamë Ola

“Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ ka ardhur si një nevojë për të mbështetur nga shumë afër sipërmarrje të vogla, të mesme që ia kanë dalë t’i mbijetojnë sfidave të krijimit të tyre në një treg të hapur”, deklaroi Rama.

Programi u krijua përmes partneritetit mes qeverisë, sistemit bankar dhe sipërmarrjes dhe u ofron bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe fermerëve, financim me interesa preferenciale dhe garanci sovrane. Sipas skemës zyrtare, norma e interesit varion nga 2% deri në 3%, ndërsa garancia e shtetit mund të mbulojë nga 30% deri në 70% të riskut të kredisë.

Reklamë InterMedika

Rama tha se skema krijon kushte më të favorshme për bizneset që kanë potencial për t’u zgjeruar, por nuk disponojnë kapitalin e nevojshëm.

“Sot që flasim kemi rreth 400 biznese që janë në proces, kemi 32 kredi të miratuara, për një vlerë që shkon në rreth 5 milionë euro. Ajo që na vjen mirë të shohim është ritmi i përshpejtuar. Hapësira është për shumë më tepër”, u shpreh ai.

Përmes programit, bizneset mund të aplikojnë për financim për investime, modernizim dhe zgjerim të aktivitetit. Platforma zyrtare parashikon gjithashtu asistencë teknike për përgatitjen e planit të biznesit dhe dokumentacionit të aplikimit.

Qeveria synon që përmes kësaj skeme të rrisë aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financim dhe të nxisë investimet e reja në ekonomi.