Hamza refuzon ofertën e Kurtit: Ligji për Specialen duhet të votohet para presidentit

06 Oct 2026 • 20:13
Shpërndaje:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar ofertën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke këmbëngulur se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të miratohen përpara çdo marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Hamza tha se nuk mund të imponohen marrëveshje në orët e fundit dhe se çështja e presidentit nuk duhet të lidhet me votimin e ligjit për Specialen.

“Sot, në orët e fundit, nuk mund të imponosh marrëveshje. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë ta bëjmë ligjin”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Hamza paralajmëroi se çdo vonesë e mëtejshme rrezikon ta bëjë të pamundur miratimin e projektligjit në dy lexime, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së se ky duhet të jetë prioriteti i parë.

Kreu i PDK-së komentoi edhe emrin e Bekim Sejdiut, duke thënë se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të arritur me partinë e tij.

Reklamë InterMedika

“Marrëveshja për z. Sejdiun nuk është marrëveshje me PDK-në, është marrëveshje me një subjekt tjetër politik”, tha Hamza, duke shtuar se nuk ka kundërshtime personale apo politike ndaj Sejdiut, por se ai nuk është pjesë e një dakordësie me PDK-në.

Më herët gjatë ditës, ministri Hekuran Murati deklaroi se mjaftonte që Hamza të pranonte marrëveshjen dhe se Kurti e kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të përpiqeshin ta bindnin Sejdiun të rikthehej në garë për president. Vetë Sejdiu kishte njoftuar se ishte tërhequr nga gara.

Hamza fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për situatën politike, duke deklaruar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja për shkak të mungesës së marrëveshjes për presidentin.

“Edhe kësaj radhe, vendi shkon në zgjedhje si projekt i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse Lëvizja Vetëvendosje i do të gjitha për vete”, u shpreh ai.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Në mungesë të një marrëveshjeje dhe votimit të presidentit të ri brenda këtij afati, Kosova përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme.