Akademia e Forcave të Armatosura ka nisur vitin e ri akademik 2026–2027 në kampusin e ri, ku 289 studentë do të ndjekin programet e formimit profesional dhe ushtarak.
Në ceremoninë e hapjes, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi kampusin e ri si pjesë të përpjekjes për ndërtimin e Forcave të Armatosura moderne, profesionale dhe të afta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë.
Sipas tij, modernizimi i arsimit ushtarak dhe përafrimi me standardet euroatlantike mbeten ndër prioritetet e qeverisë.
“Këtu qëndron edhe përgjegjësia jonë: që të ndërtojmë një sistem arsimor ushtarak që i përgjigjet nevojave të Forcave të Armatosura të sotme, por që përgatit njerëzit për sfidat e së nesërmes”, deklaroi Nufi.
Ministri theksoi se Shqipëria synon të jetë jo vetëm pjesë e NATO-s, por një aleate me kapacitete gjithnjë e më të mëdha për të kontribuar në sigurinë kolektive.
Në fjalën e tij, Nufi u ndal edhe te ndryshimet që po sjellin inteligjenca artificiale, kërcënimet kibernetike dhe teknologjitë e reja në mënyrën e zhvillimit të konflikteve dhe operacioneve ushtarake.
“Ushtarakët e së ardhmes nuk duhet vetëm të dinë se si të përdorin teknologjinë, por edhe të kuptojnë se si ajo ndryshon mënyrën e të menduarit, të planifikimit dhe të vendimmarrjes”, tha ai.
Kampusi i ri i Akademisë është projektuar sipas standardeve bashkëkohore dhe ka kapacitete për zgjerimin e programeve të studimit. Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar gjithashtu orientim më të madh drejt fushave si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, teknologjia e informacionit dhe sistemet moderne të komandimit e kontrollit.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Akademisë, gjeneralmajor Ferdinand Dimo, drejtues të FA-së, pedagogë dhe studentë.


