Ish-kreu i inteligjencës gjermane dyshohet për spiunazh dhe nxjerrje sekretesh

06 Oct 2026 • 12:57
Shpërndaje:

Autoritetet gjermane kanë arrestuar ish-kreun e Shërbimit Federal të Inteligjencës (BND), August Hanning, në kuadër të një hetimi për spiunazh dhe rrjedhje të sekreteve shtetërore, raportoi gazeta gjermane “Bild”.

Hanning, i cili drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në vitin 2005, dyshohet për vepra që lidhen me spiunazhin, tradhtinë e lartë dhe bashkëpunimin me një fuqi të huaj.

Sipas “Bild”, ish-kreu i shërbimit inteligjent dyshohet se ka marrë informacione të klasifikuara nga një ish-zyrtar i lartë i BND-së në këmbim të parave, me qëllim rishitjen e tyre në kuadër të aktiviteteve të tij si konsulent.

Hetuesit e Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) e arrestuan Hanning herët të martën në mëngjes, në banesën e tij në Nordwalde, pranë Münsterit.

Reklamë Ola

Në të njëjtën kohë, autoritetet në Bavari arrestuan edhe një tjetër ish-zyrtar të lartë të BND-së, Manfred D., i cili më herët kishte drejtuar zyrën e Hanning dhe kishte qëndruar në shërbim deri në pranverën e vitit 2026.

Manfred D. pritet të paraqitet para Gjykatës Federale në Karlsruhe, ndërsa Hanning është planifikuar të dalë para gjyqtarit të mërkurën.

Reklamë InterMedika

Sipas raportimeve, dy ish-zyrtarët e BND-së u vunë në shënjestër gjatë hetimeve për rastin e biznesmenes gjermane Christina Block, e cila po gjykohet së bashku me persona të tjerë për rrëmbimin e dhunshëm të dy fëmijëve të saj.

Gjatë hetimit janë zbuluar prova që lidhen me rrjedhjen e informacioneve nga BND-ja. Bëhet fjalë për informacione që ishin destinuar për një “informim zyrtar të inteligjencës” në Kancelarinë Gjermane.

Autoritetet po hetojnë nëse Hanning ia ka përcjellë drejtpërdrejt informacionet një fuqie të huaj.

Pas largimit nga shërbimi publik, Hanning punoi si konsulent për çështjet e sigurisë dhe biznesit ndërkombëtar. Sipas “Bild”, ai mbajti kontakte me Rusinë dhe Kinën, përfshirë agjenci shtetërore të të dyja vendeve, ndërsa dyshohet se kishte edhe kanale komunikimi pranë Kremlinit.

“Bild” raporton gjithashtu se Hanning është përballur prej vitesh me probleme të konsiderueshme financiare, pasi një pjesë e pensionit të tij ishte konfiskuar.

Shkak dyshohet se ishte përfshirja e tij në bordin mbikëqyrës të një banke në vendet baltike, e cila falimentoi pas veprimeve të një oligarku.

Përgjegjësia u kërkua edhe ndaj anëtarëve të bordit mbikëqyrës, mes tyre Hanning dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ish-kryeministri danez, Anders Fogh Rasmussen.

Nuk dihet nëse vështirësitë financiare të Hanning kanë ndonjë lidhje me marrëveshjet e dyshuara për shitjen e sekreteve shtetërore. Në shtator të vitit 2025, Gjykata e Hamburgut kishte kryer kontrolle në pronën e Hanning në Westerwald, si dhe në zyrat e tij.

Në atë kohë, hetimi lidhej zyrtarisht vetëm me çështjen e Christina Block. Megjithatë, fakti që një hetues i fshehtë ishte vendosur në një kompani të lidhur me Hanning kishte ngritur dyshime.

Sipas “Bild”, kjo mund të tregojë se hetimet për një tradhti të mundshme të lartë kishin nisur që në atë periudhë.

August Hanning kishte shërbyer më herët në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë Perëndimore në Berlinin Lindor. Nga viti 1998 deri në nëntor 2005 ai drejtoi BND-në.

Më vonë, Hanning mori një post të lartë në Ministrinë e Brendshme gjermane, ku mbikëqyri shërbimet e sigurisë gjatë kohës kur Wolfgang Schäuble ishte ministër/ Top Channel