Costa: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, zgjerimi prioritet gjeostrategjik

05 Oct 2026 • 16:29
Shpërndaje:

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është rikthyer në një prioritet gjeostrategjik për kontinentin, duke theksuar se e ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Unionit.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së vitit akademik të Kolegjit të Evropës në Natolin, Poloni, Costa e cilësoi zgjerimin si një nga strategjitë më të suksesshme të BE-së, pasi sipas tij ka nxitur zhvillimin ekonomik, ka forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe ka zgjeruar zonën e paqes dhe stabilitetit.

“Zgjerimi është edhe një herë një prioritet gjeostrategjik për Evropën”, tha Costa.

Reklamë Ola

Ai theksoi se aplikimi i Ukrainës për anëtarësim ka krijuar një dinamikë të re në procesin e zgjerimit, por shtoi se kjo nuk kufizohet vetëm te Kievi.

“Ky momentum nuk është i kufizuar vetëm te Ukraina, por shtrihet edhe te Moldavia dhe të gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e tyre është brenda Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Costa nënvizoi se procesi do të vazhdojë të bazohet te merita, duke kërkuar që çdo vend kandidat të vlerësohet individualisht sipas progresit dhe reformave të realizuara.

Presidenti i Këshillit Evropian përmendi në mënyrë të veçantë Malin e Zi, i cili synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026, nëse plotëson kushtet e kërkuara. Ai kërkoi gjithashtu përparim të vendosur për Ukrainën dhe Moldavinë, me synimin që të hapen të gjithë grupkapitujt për të dyja vendet deri në fund të vitit.

“Duhet ta shfrytëzojmë mundësinë që kemi përpara. Duhet të kapërcejmë një histori ndarjeje dhe fragmentimi dhe të përqafojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Le ta bëjmë zgjerimin realitet”, tha Costa.

Ai e lidhi procesin e zgjerimit drejtpërdrejt me sigurinë dhe fuqinë ekonomike të Evropës, duke argumentuar se një BE më e madhe dhe më e integruar do të ishte më rezistente ndaj presioneve të jashtme.

Costa u ndal edhe te lufta në Ukrainë dhe kërcënimet hibride ndaj vendeve evropiane, duke kërkuar rritje të investimeve në mbrojtje dhe koordinim më të madh mes shteteve anëtare. Sipas Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, shpenzimet e përbashkëta për mbrojtjen pritet të arrijnë rreth 454 miliardë euro në vitin 2026.

Mesazhi i tij për Ballkanin Perëndimor vijon linjën e shprehur nga Këshilli Evropian gjatë këtij viti, se anëtarësimi i rajonit mbetet një prioritet dhe një investim i rëndësishëm gjeopolitik, por duhet të mbështetet në reforma të besueshme dhe përmbushjen e kritereve.