Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar studentët dhe pedagogët me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, duke vënë theksin te roli i universiteteve në formimin profesional dhe qytetar të brezave të rinj.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Begaj e cilësoi fillimin e vitit akademik si një rrugëtim të ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe stafin pedagogjik.
“Sot nis një vit i ri akademik, një udhëtim i ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe pedagogët”, shkroi Presidenti.
Sipas Begajt, universitetet nuk duhet të shihen vetëm si institucione ku përgatiten profesionistët e së ardhmes, por edhe si hapësira ku formohen qytetarë të angazhuar në zhvillimin e vendit.
Ai u uroi studentëve kurajë për të ndjekur ambiciet e tyre, disiplinë në punë dhe besim në arritjen e objektivave akademike.
“Uroj që studentët të kenë kurajë për të ëndërruar, disiplinë për të punuar fort dhe besim për të arritur suksesin! Një vit të mbarë dhe plot mundësi të reja të gjithëve! Suksese!”, shkroi Begaj.
Mesazhi i Presidentit vjen në ditën e nisjes së vitit të ri akademik në universitetet e vendit.


