Shqipëria mund t’i mbyllë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, por për të arritur këtë objektiv duhet të përshpejtojë reformat, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Kështu deklaroi për Deutsche Welle Anton Hofreiter, kryetar i Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestagun gjerman, gjatë një vizite në Tiranë. Ai e cilësoi afatin e vitit 2027 si “shumë ambicioz”, por të mundshëm nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj.
Një nga mesazhet kryesore të Hofreiter lidhej me pavarësinë e SPAK. Sipas tij, Struktura e Posaçme duhet të jetë në gjendje të kryejë punën e saj pa ndërhyrje nga politika.
“Ne presim që SPAK-u të mund të bëjë punën e tij dhe që askush nga politika të mos ndërhyjë, madje as verbalisht”, tha Hofreiter, duke e cilësuar korrupsionin si një nga çështjet më të rëndësishme për një vend që synon anëtarësimin në BE.
Edhe raportimet e fundit të Komisionit Evropian kanë vlerësuar rezultatet e SPAK në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, ndërsa kanë evidentuar njëkohësisht tentativa për presion dhe retorikë të papërshtatshme politike ndaj institucionit.
Hofreiter përmendi si prioritete të tjera lirinë e shprehjes, demokracinë, shtetin e së drejtës, sigurinë ushqimore dhe standardet mjedisore. Ai theksoi se investimet janë të nevojshme për Shqipërinë, por duhet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian.
Duke komentuar edhe protestat për çështjet mjedisore, zyrtari gjerman argumentoi se respektimi i standardeve të BE-së në këtë fushë është pjesë e zbatimit të shtetit të së drejtës.
“Kur dëshiron të bëhesh anëtar i Bashkimit Evropian, duhet të zbatosh ligjet evropiane”, tha ai.
Hofreiter konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë, përmes asistencës në legjislacion, infrastrukturë, financim dhe këshillim. Megjithatë, ai nënvizoi se përgjegjësia kryesore mbetet te qeveria dhe parlamenti shqiptar për miratimin dhe zbatimin e reformave.
Sipas tij, edhe nëse negociatat mbyllen në vitin 2027, më pas do të duhet të përfundojë procesi i ratifikimit të anëtarësimit.
Hofreiter paralajmëroi gjithashtu se brenda Bashkimit Evropian ekzistojnë forca politike që kundërshtojnë zgjerimin dhe se Shqipëria duhet të shmangë krijimin e argumenteve që mund të përdoren kundër anëtarësimit të saj.
“Bëjeni punën tuaj sa më mirë që të mundeni. Atëherë kemi një shans që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, përfundoi ai.

