Komisioni Evropian po shqyrton një model të ri për zgjerimin e Bashkimit Evropian, i cili mund t’u japë vendeve kandidate më të avancuara, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, rol më të drejtpërdrejtë në institucionet evropiane përpara anëtarësimit të tyre formal.
Sipas medias belge “Rapporteur”, një nga idetë në diskutim parashikon që Shqipëria dhe Mali i Zi të mund të emërojnë komisionerët e tyre në Bruksel gjatë periudhës mes përfundimit të negociatave dhe ratifikimit përfundimtar të traktatit të anëtarësimit nga të gjitha shtetet e BE-së.
Në dokumentin e cituar nga media belge thuhet se Komisioni Evropian e konsideron të justifikueshme mundësinë që një shtet në procesin përfundimtar të anëtarësimit të emërojë një komisioner gjatë kësaj periudhe tranzitore.
Një përfaqësues i tillë mund të merrte pjesë në punën e Kolegjit të Komisionerëve për çështje relevante, duke ruajtur, sipas dokumentit, autonominë dhe përgjegjësinë kolektive të institucionit.
Nëse propozimi do të miratohej dhe zbatohej, do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm nga praktika e deritanishme, pasi aktualisht Kolegji i Komisionerëve përbëhet nga përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Plani lidhet me konceptin më të gjerë të “integrimit gradual”, përmes të cilit vendet kandidate do të përfshiheshin hap pas hapi në politikat, programet dhe tregun e vetëm të BE-së ndërsa vazhdojnë reformat për anëtarësim. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur më herët se metodologjia e integrimit gradual është një nga shtyllat që Brukseli po shqyrton në reformimin e procesit të zgjerimit.
Shqipëria ndodhet aktualisht në një fazë të avancuar të negociatave. Të 33 kapitujt negociues janë hapur, ndërsa në korrik 2026 vendi mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë: Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Edhe Mali i Zi është ndër vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, ai ka hapur të gjithë kapitujt negociues dhe deri tani ka mbyllur përkohësisht 16 prej tyre. BE-ja ka nisur gjithashtu punën për hartimin e traktatit të tij të anëtarësimit.
Komisioni Evropian po punon paralelisht për një integrim më të thellë të vendeve kandidate në tregun e përbashkët, të lidhur me zbatimin e reformave. Për Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ky proces mbështetet edhe përmes Planit të Rritjes së BE-së.
Strategjia e re e zgjerimit pritet të detajohet më tej nga komisionerja Marta Kos, ndërsa çdo ndryshim që prek funksionimin e institucioneve të BE-së do të kërkojë dakordësi politike dhe përcaktimin e një baze juridike për zbatimin e tij.

