Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të shtojë mbështetjen për Ukrainën, duke argumentuar se veprimet armiqësore dhe hibride që NATO ia atribuon Rusisë nuk do të arrijnë të përçajnë aleatët apo të dobësojnë ndihmën për Kievin.
Deklaratat u bënë të martën, më 29 shtator, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Lituanisë, Mindaugas Sinkevičius, në selinë e NATO-s në Bruksel.
“Rusia vazhdon fushatën e saj të pamatur të veprimeve armiqësore kundër aleatëve të NATO-s”, tha Rutte, duke shtuar se, sipas tij, Moska synon të dobësojë vendosmërinë e vendeve anëtare dhe të pengojë mbështetjen për Ukrainën.
Kreu i NATO-s argumentoi se këto përpjekje nuk kanë arritur të cenojnë unitetin e Aleancës dhe dha një mesazh të drejtpërdrejtë për Moskën: “Ne do të bëjmë edhe më shumë për Ukrainën dhe jo më pak.”
Rutte u bëri thirrje aleatëve të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe financiare për Kievin, duke e cilësuar rritjen e ndihmës për Ukrainën si përgjigjen kryesore ndaj aktiviteteve hibride që NATO ia atribuon Rusisë.
Sipas tij, qëllimi i këtyre veprimeve është që vendet e NATO-s të humbasin fokusin te lufta në Ukrainë dhe të përqendrohen te debatet e brendshme mbi kërcënimet hibride. Ai u kërkoi aleatëve të mos lejojnë që kjo të ndikojë në strategjinë e tyre ndaj Kievit.
NATO ka deklaruar gjatë shtatorit se aleatët po vazhdojnë furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake dhe sisteme të mbrojtjes, ndërsa Rutte ka kërkuar që ndihma të jepet me “urgjencën më të madhe”.
Kreu i Aleancës ka theksuar gjithashtu se NATO disponon alternativa të ndryshme për t’iu përgjigjur veprimeve hibride, duke bërë të qartë se jo çdo reagim do të jetë domosdoshmërisht publik.


