Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas takimit me dy delegacione të Bundestagut gjerman, u ndal edhe te çështja e investimit në Zvërnec.
Balla tha se gjatë diskutimeve është trajtuar rëndësia e këtij investimi dhe garancitë që lidhen me realizimin e tij, duke theksuar se investimet e kësaj natyre në Shqipëri konsiderohen strategjike dhe duhet të mbrohen.
Sipas Ballës, faza e parë e investimit në Zvërnec kap vlerën e mbi 4 miliardë eurove, ndërsa projekti vlerësohet për ndikimin e tij në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare.
“Investimi në Zvërnec, jo vetëm për nga vlera financiare e fazës së parë të investimit, mbi 4 miliardë euro, por nga rëndësia e këtij projekti sa i përket turizmit, një vend me 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm Bruto, t’i thuash jo një investimi 4 miliardë euro është e pamundur”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se investimi do të realizohet, ndërsa qeveria dhe agjencitë shqiptare të përfshira në proces do të garantojnë respektimin e standardeve të mbrojtjes së mjedisit.
“Qeveria shqiptare dhe agjencitë shqiptare të përfshira në këtë proces do të garantojnë që të respektohen të gjitha parimet e mbrojtjes mjedisore”, u shpreh Balla, duke iu referuar edhe parashikimeve të Kapitullit 27 të acquis të Bashkimit Europian, që lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Balla sqaroi gjithashtu se faza e parë lidhet me blerjen e terrenit, ndërsa fazat e tjera të projektit pritet të vijojnë më tej.


