Papa Leoni apel për paqe: Palët të heqin dorë nga disa qëndrime

28 Sep 2026 • 16:30
Shpërndaje:

Papa Leoni XIV u bëri thirrje palëve të përfshira në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Europë që të tregojnë guxim në negociata dhe të jenë të gatshme të heqin dorë nga disa prej qëndrimeve të tyre për hir të paqes.

Duke folur të hënën në Metz të Francës, në përfundim të vizitës së tij katërditore në vend, Papa e përshkroi rikthimin e luftës në Europë si një “masakër të pakuptimtë”, që vazhdon të marrë jetë civilësh çdo ditë.

Megjithëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Ukrainën, mesazhi i tij iu referua luftës së nisur nga pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë në vitin 2022 dhe përpjekjeve të deritanishme për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Reklamë Ola

Papa kërkoi që negociatat të mos mbeten të bllokuara nga pozicionet e palëve, por të vendosin në qendër objektivin e përfundimit të konfliktit.

“Duhet të tregojmë guxim në negociata dhe të jemi të gatshëm të heqim dorë nga disa qëndrime për të mirën më të madhe të paqes”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Në fjalimin e tij, Leoni XIV kundërshtoi gjithashtu idenë se rritja e armatimeve mund të jetë përgjigjja kryesore ndaj pasigurisë së krijuar nga lufta. “Duhet të ruhemi nga iluzioni se riarmatimi është përgjigjja”, tha ai.

Sipas Papës, Europa duhet të pyesë veten nëse po bën përpjekje reale dhe krijuese për paqen, apo thjesht po përgatitet më mirë për konflikte të tjera që mund të ndodhin në të ardhmen.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të tij iu kushtua edhe së ardhmes së Europës. Leoni XIV kërkoi respektimin e shtetit të së drejtës dhe barazinë mes njerëzve, duke i paraqitur këto si pjesë të vlerave mbi të cilat është ndërtuar projekti europian.

Papa foli gjithashtu për emigracionin, duke u bërë thirrje vendeve europiane të integrojnë emigrantët dhe t’u krijojnë atyre mundësi për t’u bërë pjesë e shoqërive ku jetojnë. Ai përsëriti mbështetjen për krijimin e rrugëve “të ligjshme dhe të sigurta” të migracionit dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Fjalimi në Metz përmbylli vizitën apostolike të Papës në Francë, të zhvilluar nga 25 deri më 28 shtator, me paqen, unitetin europian dhe dialogun mes temave kryesore.