Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të hënë drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në “Vilën e Kuqe” në Tiranë.
Takimi është parashikuar të nisë në orën 14:00, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jetë ecuria e nismës “Prania Besnike” dhe puna e zhvilluar në terren gjatë dy javëve të fundit. Informacioni për mbledhjen është raportuar fillimisht nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, dhe është pasqyruar edhe nga media të tjera.
Drejtuesit politikë pritet të paraqesin një bilanc të takimeve me qytetarët, problematikave të evidentuara dhe mënyrës se si ato janë përcjellë për trajtim pranë institucioneve përkatëse.
“Prania Besnike” është një nismë e mazhorancës që parashikon angazhimin e ministrave, deputetëve, zëvendësministrave dhe drejtuesve politikë në takime të drejtpërdrejta me qytetarët në terren.
Rama ka zhvilluar edhe më herët mbledhje në “Vilën e Kuqe” për këtë nismë. Në takimin e 18 shtatorit, ministrat dhe drejtuesit politikë raportuan për shqetësimet e mbledhura nga qytetarët dhe hapat e ndërmarrë për adresimin e tyre.
Takimi i sotëm pritet të shërbejë si një tjetër pikë raportimi për punën e strukturave socialiste dhe rezultatet e deritanishme të “Pranisë Besnike”.


