Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, deklaroi se vendi ka bërë përparim konkret në procesin e integrimit dhe se perspektiva e anëtarësimit po bëhet gjithnjë e më e prekshme.
Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Moreira de Sousa vlerësoi se parlamentet kanë një rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit. Konferenca e sotme në Tiranë mbledh përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve europiane.
“Nuk ka vend më të mirë për të diskutuar zgjerimin sesa mes deputetëve. Shqipëria ka një ecuri konkrete drejt rrugës në BE. E ardhmja e Shqipërisë në BE po bëhet më e prekshme”, u shpreh ambasadorja.
Në fjalën e saj, Moreira de Sousa veçoi përparimin në sundimin e ligjit, duke u ndalur te ngritja dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë. Ajo përmendi gjithashtu zhvillimet në kuadrin ligjor, të drejtat e njeriut dhe reformat ekonomike.
“Ka arritje në sundimin e ligjit, veçanërisht krijimi dhe fuqizimi i institucioneve gjyqësore. Shqipëria ka ecur me kuadrin ligjor, me të drejtat e njeriut, edhe reformat ekonomike po ecin përpara”, tha ajo.
Megjithatë, ambasadorja e BE-së theksoi se përparimi i deritanishëm duhet të shoqërohet me vijimin e reformave dhe rezultate konkrete. Edhe më herët gjatë shtatorit, Moreira de Sousa kishte kërkuar ruajtjen e ritmit të reformave, veçanërisht në drejtësi, si dhe forcimin e transparencës dhe mbikëqyrjes parlamentare.
“Ka ecuri, por edhe puna që duhet të vijojë është me rëndësi”, u shpreh ajo.
Mesazhi i ambasadores për institucionet shqiptare ishte që të ruajnë ritmin dhe të fokusohen te ndikimi që procesi i integrimit duhet të ketë në jetën e qytetarëve.
“Mesazhi është i qartë: vazhdoni me këtë punë që po bëni, mbani fokus te rezultatet për qytetarët. Rrugëtimi europian i Shqipërisë e ka ndryshuar Shqipërinë në shumë aspekte. Detyra është që të vazhdojë”, deklaroi Moreira de Sousa.
Konferenca në Tiranë ka në qendër zgjerimin e Bashkimit Europian, reformat dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit, si dhe rolin e parlamenteve në avancimin e këtij procesi.


