Peleshi: Shqipëria ka vetëm një plan, anëtarësimin në BE brenda dekadës

28 Sep 2026 • 12:35
Shpërndaje:

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se Shqipëria ka vetëm një objektiv strategjik: anëtarësimin në Bashkimin Europian. Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare që po zhvillohet në Tiranë, ai tha se synimi është mbyllja e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade.

“Ne kemi vetëm një plan, anëtarësimin në BE. Mbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin brenda kësaj dekade”, u shpreh Peleshi.

Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për integrimin europian, duke deklaruar se mbi 90% e shqiptarëve janë pro anëtarësimit në BE. Sipas tij, kjo është mbështetja më e lartë mes vendeve kandidate.

Reklamë Ola

Peleshi tha se Shqipëria e ka dëshmuar përkushtimin ndaj rrugës europiane përmes reformave dhe përafrimit me politikat e BE-së, ndërsa nënvizoi edhe partneritetin me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai e cilësoi vitin 2026 si përcaktues për procesin e integrimit dhe u ndal veçanërisht te reforma në drejtësi, për të cilën tha se kërkoi “guxim të madh” dhe solli pasoja të rëndësishme. Në fjalën e tij përmendi gjithashtu digjitalizimin e ekonomisë dhe shtetit si pjesë të transformimit të vendit.

Reklamë InterMedika

Një pjesë të rëndësishme të fjalës Peleshi ia kushtoi edhe rolit të Kuvendit në procesin e negociatave. Sipas tij, po forcohen mekanizmat e kontrollit parlamentar, transparenca dhe konsultimet publike që në fazën e hartimit të ligjeve.

Kryetari i Kuvendit tha se synohet edhe modernizimi i strukturave parlamentare përmes teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk kërkon trajtim preferencial nga Brukseli.

“Shqipëria nuk kërkon favore nga BE, por vlerësim objektiv të asaj që po bën për të shkuar atje”, deklaroi ai.

Peleshi u ndal edhe te perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, duke argumentuar se integrimi i të gjithë rajonit do të ishte një përparim i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë. “Suksesi i secilit prej nesh është një fitore e madhe për rajonin”, tha ai.

Në përfundim, Peleshi solli edhe një mesazh mbi atë që Shqipëria, sipas tij, mund t’i ofrojë Bashkimit Europian, duke përmendur historinë e vendit dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Shqipëria do t’i sjellë Europës një pjesë të shpirtit të saj. Detyra e brezit tonë është që ëndrrën e të parëve t’ia trashëgojmë fëmijëve tanë. Mirë se erdhët në Tiranë, mirë se erdhët në Shqipërinë europiane”, përfundoi Peleshi.

Konferenca e sotme mbledh në Tiranë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve anëtare e kandidate, me fokus zgjerimin e BE-së dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit