Shqipëria nënshkruan në OKB Konventën kundër Krimit Kibernetik, Hoxha: Të forcojmë sigurinë digjitale

26 Sep 2026 • 13:53
Shpërndaje:

Shqipëria i është bashkuar zyrtarisht vendeve nënshkruese të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik, duke hedhur një hap të ri drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e kërcënimeve në hapësirën digjitale.

Në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nënshkroi Konventën në emër të Shqipërisë.

Dokumenti synon të krijojë një kuadër më të gjerë bashkëpunimi mes shteteve për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të kryera përmes teknologjisë së informacionit.

Reklamë Ola

Një element i rëndësishëm është forcimi i mekanizmave për shkëmbimin ndërkombëtar të provave elektronike në hetimin e krimeve të rënda, në një kohë kur aktivitetet kriminale zhvillohen gjithnjë e më shpesh përtej kufijve kombëtarë.

Ministri Hoxha deklaroi se siguria dhe besimi në hapësirën teknologjike janë pjesë e pandashme e procesit të transformimit digjital të Shqipërisë.

Reklamë InterMedika

“Ndërsa teknologjia vazhdon të krijojë mundësi të reja për rritje dhe inovacion, ne duhet të sigurohemi që aftësia jonë për të mbrojtur ata që mbështeten në potencialin e saj të mund të rritet paralelisht me këto zhvillime”, tha Hoxha.

Kryediplomati shqiptar theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke argumentuar se kërcënimet kibernetike nuk mund të adresohen vetëm në nivel kombëtar.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë për të çuar përpara këto parime dhe për të kontribuar në një mjedis digjital më të sigurt, më të mbrojtur dhe më të besueshëm për të gjithë”, deklaroi ai.

Konventa e OKB-së kundër Krimit Kibernetik u miratua nga Asambleja e Përgjithshme në dhjetor 2024. Ajo parashikon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimeve të kryera përmes sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe shkëmbimin e provave elektronike për krime të rënda.

Nënshkrimi nga Shqipëria përbën angazhimin politik dhe juridik fillestar ndaj Konventës, ndërsa hyrja e saj në fuqi për vendin kërkon përfundimin e procedurave të mëtejshme të ratifikimit.