Brukseli hap rrugën për 4.2 miliardë euro për Hungarinë, rikthehen edhe Erasmus dhe Horizon

24 Sep 2026 • 20:03
Shpërndaje:

Komisioni Evropian ka propozuar zhbllokimin e 4.2 miliardë eurove nga fondet e kohezionit për Hungarinë, pasi vlerësoi se qeveria e kryeministrit Péter Magyar ka ndërmarrë reformat e nevojshme për të adresuar një sërë problemesh të lidhura me shtetin e së drejtës.

Propozimi parashikon gjithashtu rikthimin e aksesit të plotë të Hungarisë në programet Erasmus+ dhe Horizon Europe, nga të cilat universitete hungareze ishin përjashtuar për shkak të masave të vendosura nga Brukseli.

Fondet ishin bllokuar në vitin 2022, gjatë qeverisjes së Viktor Orbán, në kuadër të mekanizmit të kushtëzimit të BE-së për shtetin e së drejtës. Shqetësimet e Brukselit lidheshin kryesisht me korrupsionin, prokurimet publike, konfliktet e interesit dhe efektivitetin e ndjekjes penale.

Reklamë Ola

Sipas vlerësimit të Komisionit, qeveria e re hungareze ka ndërmarrë masa që adresojnë problematikat që preknin interesat financiare dhe buxhetin e Bashkimit Evropian.

Ndryshimet përfshijnë forcimin e kuadrit kundër korrupsionit dhe të Autoritetit të Integritetit, masa për parandalimin e konflikteve të interesit, rritjen e transparencës në prokurimet publike dhe forcimin e kontrollit mbi përdorimin e fondeve evropiane.

Reklamë InterMedika

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte anëtarësimi i Hungarisë në Prokurorinë Publike Evropiane (EPPO) në korrik, një hap që qeveritë e mëparshme të Viktor Orbán kishin refuzuar ta ndërmerrnin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi ndryshimet e ndërmarra nga Budapesti, duke theksuar se Hungaria ka bërë hapa të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

“Reformat japin rezultate”, deklaroi von der Leyen.

Megjithatë, 4.2 miliardë eurot nuk janë zhbllokuar ende përfundimisht. Propozimi duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së, i cili ka një muaj kohë për të marrë vendimin. Deri në miratimin e tij, masat ekzistuese mbeten në fuqi.

Edhe nëse propozimi miratohet, jo të gjitha fondet e ngrira për Hungarinë do të çlirohen. Komisioni ka konfirmuar se rreth 3.5 miliardë euro të tjera vazhdojnë të jenë të bllokuara për çështje të veçanta, mes tyre respektimi i Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, liria akademike, të drejtat e komunitetit LGBTIQ dhe azili.

Vendimi i Komisionit shënon megjithatë një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit, pas viteve të përplasjeve për shtetin e së drejtës gjatë qeverisjes së Viktor Orbán.