Zgjedhjet në Britani/ Parlamenti i ri mblidhet të martën
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se pret negociata të ndërlikuara me Britaninë e Madhe. Pika më problematike është presioni i madh kohor.
Parlamenti i sapozgjedhur britanik do të mblidhet të martën. Në dallim nga periudha para zgjedhjeve, konservatorët e kryeministrit Johnson do të përfaqësojnë në të përsëri një shumicë. Toriet konservatorë do të kenë të paktën 365 vende në Westminister, 162 më shumë se laburistët. Mbretëresha Elizabeth II tashmë i ka kërkuar Johnson-it të formojë një qeveri të re. Johnsoni tha se prioriteti i tij është të imponojë daljen nga Bashkimi Evropian deri në fund të janarit 2020.
Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Britaninë e Madhe mbizotëroi në ditën e dytë dhe të fundit të samitit të BE në Bruksel. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen kërkoi negociata të shpejta për marrëdhëniet e ardhshme me Britaninë e Madhe.
Ajo tha se koha është jashtëzakonisht e shkurtër për të arritur një marrëveshje me Britaninë e Madhe para fundit të vitit 2020. Në negociatat për një marrëveshje tregtare synohet të hiqet dorë nga doganat e kuotat. E rëndësishmë është gjithashtu të ruhet një bashkëpunim i ngushtë për çështje të sigurisë.
Kancelarja Merkel tha se ajo pret negociata të ndërlikuara dhe nuk pret që kryeministri Johnson të kërkojë një zgjatje të periudhës së tranzicionit përtej vitit 2020. Deri atëherë ekziston një numër çështjesh që duhet të zgjidhen, nga tregtia tek peshkimi deri te siguria në internet. “Pika më problematike” është presioni i madh kohor, tha Merkeli. Presidenti i Këshillit të BE-së Michel tha se marrëveshja nuk do të lidhet me çdo çmim. Kusht është që ajo të jetë e barazpeshuar.
DW