Vladimir Putin propozon armëpushim në Ukrainë më 9 maj, mbështetje nga Donald Trump
Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar një armëpushim të përkohshëm në luftën në Ukrainë më 9 maj, ditë që përkon me festimet e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore ndaj Gjermanisë naziste.
Propozimi është bërë gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku Putin shprehu gatishmërinë për të ndalur përkohësisht luftimet gjatë festimeve të ashtuquajtura si Dita e Fitores.
Lajmi u bë i ditur nga këshilltari diplomatik i Kremlinit, Yury Ushakov, i cili deklaroi se iniciativa synon të krijojë një moment simbolik reflektimi gjatë një prej datave më të rëndësishme historike për Rusinë.
Sipas Ushakov, Donald Trump e ka mbështetur këtë ide, duke theksuar se kjo festë përfaqëson një fitore të përbashkët historike.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të pritet ky propozim nga pala ukrainase dhe nëse një armëpushim i tillë mund të zbatohet në praktikë, në një konflikt që vijon të mbetet i tensionuar dhe pa një zgjidhje të afërt.







