×
E premte, 22 Janar, 2021

Viti 2021 nis me lajm të mirë/ Shqipëria siguron 500 mijë dozat e para të vaksinës anti COVID-19 nga kompania Pfizer

1 Janar, 2021

Kryeministri Edi Rama dha sot lajmin e mirë se Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës antiCovid nga kompania Pfizer.

“Shoppingu im në Nju Jork ka mbaruar me sukses.  Kemi dakordësuar me Akt Normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes të konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sasia  e dakordësuar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe procedurës së kompanisë Pfizer me të gjitha vendet pa përjashtim”, detajoi kryeministri Rama.

Rama theksoi se 10750 dozat e para të kësaj vaksine sipas kontratës do mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. “30250 doza të tjera do vijnë në shkurt dhe të tjerat me radhë muaj pas muaj në bazë të planit të vaksinimit”, tha Rama.

Rama shtoi se kjo është nisja më e mirë e mundshme të këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të armikut të padukshëm. Por, padyshim, vijoi ai, “ky nuk është fundi i përpjekjes tonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund”.

“Do të vazhdojmë të përpiqemi siç jemi përpjekur me këmbëngulje pa pushim nga të katër anët deri mbrëmë vonë që plani i vaksinimit të planifikohet sipas parashikimit pa asnjë bllokim apo ngadalësim nga mungesa e dozave të nevojshme”, deklaroi kryeministri Rama.

“Ju bëj me dije, po ashtu, se kemi garantuar ditët e fundit dhe gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash, gjysmën e parë të janarit. Nuk mund t’i përmend emrat sepse sot nuk e dimë se dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer do ndikojë apo jo me finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana e dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë kur ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë”, tha ai.

Po ashtu, Rama theksoi se “njëkohësisht me dy shtete të tjera negociojmë me një tjetër sasi vaksinash nga Pfizer dhe Astra Zeneca”.

“Besoj se shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave. Padyshim do ju informojmë menjëherë nëse dhe kur do të materializohen, por jam tejet falënderues ndaj tyre edhe sepse as njëri dhe as tjetri nga këta dy vende nuk hyjnë tek më të pasurit e Europës por kanë patur bujarinë që t’i konsiderojmë seriozisht lutjet tona. E kemi kapërcyer kështu në kohë rekord për pozicionin tejet të disfavorshëm nga u nisëm, hendekun që hapi mu në mes të Europës vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht, dhe e pajustifikueshme logjikisht e Bashkimit Europian”, theksoi Rama.

“Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si evropian jam ndjerë i turpëruar. Ndërsa si kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të ndihen të përjashtuar nga mundësia për t’u mbrojtur njëkohësisht me europianët e tjerë në këtë luftë botërore me rrezikun e vdekjes”, theksoi Rama.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për