×
Tuesday, June 16, 2026

“Venecia konfirmoi se Kuvendi është legjitim”, Balla: Basha, Berisha, Meta e Kryemadhi mund të bëjnë koalicion si të duan

December 17, 2020


Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha nga foltorja e Kuvendit, se opinioni i Komisionit të Venecias për ndyrshimet në kodin zgjedhor tregoi se Kuvendi është legjitim dhe vendimet e marra nga ky institucion janë legjitime.

“Sa i përket një çështje të debatuar, që ka të bëjë me legjitimitetin e këtij kuvendi, ky opinioni i Venecias ishte shterues dhe besoj që të gjithë ata që kanë llapur sa kanë pasur mundësi për çështjen e kuvendit të marrin një përgjigje përfundimtare. Venecia vlerëson se Kuvendi mbetet legjitim për aq kohë sa ka kuorumin për vendimmarrje”, u shpreh Balla.

Sa i takon koalicioneve, Balla tha se opozita mund të bëjë koalicion, por duke respektuar tre normat e vendosura.

“Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund të bëjnë koalicion si ta duan ata, por duke respektuar këtë normë të re që kur do të bësh një koalicion bota njeh tre parime, duhet të kesh një lider koalicion, një program dhe një ekip. Zgjidheni këtë, dhe bujrum kandidoni në koalicion”, tha Balla.

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS,Taulant Balla në Parlament:

Sot është miratuar opinioni final i Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ato kodit zgjedhor ku theksohet se ndryshimet e mësipërme janë në përputhje me standardet e praktikat e mira zgjedhore.

Komisioni kritikon veprimet e djegjes së mandatave nga opozita jashtëparlamentare si akt kundër trashëgimisë elektorale europiane dhe shprehet se opozita nuk mund të jetë sot në rolin e kritikuesit, kur ajo vetë e la rrugës procesin institucional.

Komisioni Venecias vlerëson se Kuvendi është dhe mbetet legjitim për sa kohë ka gjithë kuorumet e nevojshme për çdo vendimarrje.

Lidhur me koalicionet brenda ndryshimeve ligjore, opinioni Venecias i vlerëson gjithashtu në përputhje me standardet më të mira të zgjedhjeve.

Duhet të jemi të qartë se Komisioni i Venecias nuk analizon procedurën parlamentare.

Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias thekson nevojën që gjithë palët të kontribuojnë për organizimin e zgjedhjeve në 25 prill 2021 dhe rekomandon disa ndryshime të tjera ligjore pas zgjedhjeve të 2021.

Për parlamentin shqiptar dhe për grupin parlamentar të PS në veçanti, sot e rëndësishme është që sipas traditës sonë të bashkëpunimit, si Kuvend i Shqipërisë, të respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
oldest
newest most voted