Vendimi/ Kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi do të mbrohet nga Garda
Kryenegociatori i Shqipërisë në BE, Zef Mazi tashmë futet në personalitetet e larta shtetërore të vendit dhe për këtë do të ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës.
Me një vendim në Këshillin e Ministrave, qeveria i akordon Mazit dy nënoficerë të Gardës si truprojë- shofer.
Zef Mazi është i zgjedhur i Ramës për të zhvilluar negociatat me Shqipërisë me BE teksa ka një karrierë të pasur si ministër dhe diplomat në disa vende për të përfaqësuar Shqipërinë.
VENDIMI NGA QEVERIA
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.591, DATË 5.9.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE TË TJERA TË LARTA SHTETËRORE TË VENDIT, QË DO TË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Pas shkronjës “e”, të pikës 1, të vendimit nr.591, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me truprojë–shofer, gjithsej 2 nënoficerë.”.
- Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Eunews.al