Vala e dytë e COVID-19, spitalet e Selanikut drejt limitit të kapaciteteve



Mjekët paralajmëruan sot se një rritje e infektimeve nga COVID-19 në qytetin verior të Greqisë, Selanik, po e çon sistemin spitalor në limitet e tij, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Javën e kaluar, Greqia urdhëroi një bllokim mbarëkombëtar trejavor, i dyti këtë vit, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e COVID-19 dhe lehtësuar barrën që ka mbërthyer spitalet, veçanërisht ato në Selanik.
Qyteti dukej se po e përmbante virusin, por në vetëm një muaj, historia e tij e suksesit është kthyer në një krizë serioze.
Kryebashkiaku i Selanikut ka fajësuar rritjen e vetëkënaqësisë midis popullatës, ku tashmë pothuajse çdo familje e ka një person të infektuar me koronavirusin e ri.
“Sistemi spitalor është tashmë në limitet e tij”, tha Vassilis Voutsas, një mjek i njësisë së kujdesit intensiv COVID, në spitalin “Papanikolaou” të Selanikut.
“Frika ime është se numri i pacientëve do të jetë aq i madh, saqë ne nuk do të jemi në gjendje t’i trajtojmë të gjithë”, shtoi ai.
Pavarësisht se ka afërsisht gjysmën e popullsisë së Athinës metropolitane, Selaniku ka regjistruar në ditët e fundit më shumë raste të reja, sesa kryeqyteti grek.
Eunews.al

