×
Tuesday, March 2, 2021

Vaksinat anti COVID-19 mund të mos jenë efektive tek njerëzit mbipeshë

November 2, 2020

Kur Jezus Soza-Garsia sheh pacientët që trajtohen për Covid-19 në repartit e kujdesit intensiv në spitalit ku punon, i bie në sy një tipar kryesor:”Obeziteti, është faktori më i rëndësishëm që ne shohim” – thotë ai.

Soza-Garsia punon në Hospital Médica Sur në Meksiko Siti, që po përballet prej 6 muajsh me një shpërthim të madh të Covid-19. “Ne shtrojmë çdo ditë pacientë. Dhe shumë prej atyre që vijnë më simptoma të rënda, janë nga segmenti i popullatës obeze të Meksikës, që është në rritje, dhe që sot përbën 36 për qind të të rriturve.

Soza-Garsia është optimist se vaksina kundër koronavirusit do të jetë së shpejti në dispozicion, për t’i dhënë fund pandemisë. Por, për Meksikën dhe shumë vende të tjera me një popullsi në rritje të njerëzve mbipeshë, disa studiues kanë frikë se vaksina mund të mos jetë ilaçi për të cilin shpreson Soza-Garsia.

Obeziteti, ndërlidhet me një përgjigje imune të dobët ndaj Covi-19. Dhe vaksinat për një pjesë të gjendjeve të tjera, shpesh nuk funksionojnë dhe aq mirë tek njerëzit mbipeshë, ndaj mendohet se vaksina anti-Covid mund të mos sigurojë aq mbrojtje sa dëshirojnë studiuesit. “Ne jemi të shqetësuar për këtë gjë”- thotë Dona Rajan, që studion efektet e mbipeshës në Pennington Biomedical Research Center në Luiziana, SHBA.

Studiuesit janë ende të pasigurt nëse mbipesha do të ndikojë mbi efikasitetin e vaksinës.

Dhe mund të ketë edhe mënyra për t’u përballur me problemet, nëse do të shfaqen këto të fundit. Por, shkencëtarët shqetësohen edhe se testet klinike, mund të mos jenë të dizenjuara si duhet për t’i kapur në kohë raste të tilla.

Që në fillim të pandemisë, ka qenë e qartë se mbipesha e rrit rrezikun për njerëzit e infektuar me koronavirusin e ri. Kur epidemiologia Lin Xu e Universitetin Sun Yat-Sen në Guangzhou të Kinës, po analizonte të dhënat nga vala më e hershme e epidemisë në Kinë, ajo vuri re një model.

“Mbipesha ishte gjithmonë aty. Ajo ishte gjithnjë  e lidhur pozitivisht me ashpërsinë e simptomave të Covid-19”- thotë ajo. Kur Xu ia dorëzoi studimin e saj një revistë akademike në muajin mars, redaktorët e nxitën që të vinte në dijeni edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Që nga ajo kohë, studime nga shumë vende të botës kanë arritur në të njëjtin përfundim:ata që janë obezë, kanë më shumë të ngjarë të vdesin nga Covid-19, sesa ata me peshë normale, edhe kur merren parasysh faktorë të tillë si diabeti dhe hipertensioni.

Dhe për këtë ka një sërë arsyesh të mundshme. Personat me indeksin e lartë të masës trupore (BMI), e kanë më të vështirë për t’u trajtuar. Për shembull, mund të jetë sfiduese t’u vendosni një tub poshtë rrugëve të tyre të frymëmarrjes, kur i lidhni me një ventilator.

Ata gjithashtu mund të kenë kapacitet të zvogëluar të mushkërive. Ndërkohë rezistenca ndaj insulinës, e bën më të vështirë që trupi të reagojë normalisht ndaj sheqerit.

Tek njerëzit mbipeshë mund të përkeqësohen efektet metabolike që shkakton infeksioni i koronavirusit të ri. Dhe indi dhjamor, përmban nivele relativisht të larta të receptorit ACE2, që përdor SARS-CoV-2 për të hyrë në qelizat e njeriut. “Indet dhjamore duket se funksionojnë si një rezervuar për virusin”- thotë Xhianluka Iakobelis, endokrinolog në Universitetin e Majemit në Florida, SHBA.

Por studiuesit shqetësohen më shumë për efektet në sistemin imunitar. Obeziteti mund të shkaktojë inflamacion kronik të një shkalle së ulët, që mendohet se ndihmon në rritjen e rrezikut të gjendjeve të tilla si diabeti i Tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.

Për pasojë, njerëzit obezë mund të kenë nivele më të larta të një larmie të proteinave që rregullojnë imunitetin, duke përfshirë citokinat. Reagimet imune të këtyre të fundit, mund të dëmtojnë indet e shëndetshme në rastet e rënda me Covid, thotë Milena Sokolovska, që studion imunologjinë dhe sëmundjet e frymëmarrjes në Universitetin e Zyrihut në Zvicër.

Të dhënat paraprake sugjerojnë që infeksionet e SARS-CoV-2 zgjasin për rreth 5 ditë më shumë tek njerëzit mbipeshë, sesa tek ata që janë të dobët, thotë endokrinologu Daniel Druker i spitalit “Mount Sinai” në Toronto, Kanada.

“Kjo nënkupton se këta njerëz kanë probleme me pastrimin e infeksionit”- thotë ai. Sipas të dhënave më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 13 për qind e të rriturve në botë janë obezë. Rajan thotë se studimet e vaksinave kundër gripit, hepatitit B dhe tërbimit, kanë treguar përgjigje më të zbehta tek njerëzit mbipeshë, krahasuar me ata që janë të dobët.

Por mund të ketë disa mënyra për të kompensuar mangësitë e vaksinave. Dhënia e dozave shtesë për njerëzit mbipeshë është një mundësi, thotë Rajan. “Ndoshta 3 injeksione në vend të 2, është ndoshta një dozë më e madhe. Por nuk e dimë se sa do të funksionojë ajo”- thotë ekspertja. / Nature.com

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për