×
Tuesday, July 7, 2026

Trump rikthen tensionet me Melonin para samitit të NATO-s në Ankara

July 6, 2026


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndezur sërish tensionet me kryeministren italiane Giorgia Meloni, vetëm pak ditë para samitit të NATO-s që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara.

Përmes një postimi në platformën “Truth Social”, Trump publikoi një fotografi të Melonit nga samiti i G7 në Evian, të shoqëruar me mbishkrimin: “Nevojiten masa kufizuese”, në një lëvizje që është interpretuar si një tjetër sulm ndaj kryeministres italiane.

Përplasja mes dy liderëve nisi pas samitit të G7, kur Trump deklaroi se Meloni i ishte lutur për të bërë një fotografi së bashku. Kryeministrja italiane iu përgjigj me një video në rrjetet sociale.

“Unë dhe Italia nuk të lusim kurrë”, u shpreh Meloni.

Ky episod shton pasigurinë në prag të samitit të NATO-s, ku liderët e 32 vendeve anëtare do të diskutojnë forcimin e aleancës dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Një nga temat kryesore do të jetë objektivi që vendet anëtare të investojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh optimist se samiti do të zhvillohet pa probleme dhe se vendet do të respektojnë angazhimet e marra.

Megjithatë, ai pranoi se sjellja e Trump mbetet një faktor i paparashikueshëm.

“Do të shohim se çfarë do të bëjë Trump”, deklaroi Crosetto.

Presidenti amerikan pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë samitit, ndërsa javët e fundit ka kritikuar vazhdimisht aleatët evropianë për, sipas tij, mungesën e kontributit në çështjet e sigurisë dhe në përballjen me krizën në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të përshpejtojnë shndërrimin e angazhimeve financiare në kapacitete reale ushtarake.

Ndërkohë, sipas raportimeve të Politico, analistët vlerësojnë se retorika e ashpër e Trump ndaj aleatëve mund të lidhet edhe me interesat e industrisë amerikane të mbrojtjes, ndërsa vendet evropiane pranojnë se do të duhet të rrisin investimet në sektorin e sigurisë.




Comments are closed.