Kryeministri holandez: Shpresoj që Kosova një ditë të bëhet pjesë e familjes evropiane
Kryeministri i Holandës, Rob Jetten, zhvilloi këtë të martë një intervistë të shkurtër për Euronews Albania nga Ankara, ku po merr pjesë në samitin e NATO-s.
Gjatë bisedës me gazetarin Xhemajl Rexha, Jetten u pyet fillimisht për qenin që kishte adoptuar nga Kosova, duke konfirmuar se ai vazhdon të jetë pjesë e familjes së tij.
“Po, ende e kam”, u përgjigj kryeministri holandez, ndërsa shtoi se e kishte adoptuar sepse ishte “një qen shumë i mirë rrugësh” dhe se ai i do qentë.
Më pas, gazetari e pyeti nëse pret që Kosova të bëhet një ditë anëtare e NATO-s.
Në përgjigjen e tij, Jetten nuk iu referua drejtpërdrejt anëtarësimit në aleancën ushtarake, por theksoi mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Unë shpresoj që Kosova do të bëhet pjesë e familjes evropiane një ditë”, u shpreh kryeministri holandez.
Deklarata u bë në prag të punimeve të samitit të NATO-s në Ankara, ku çështjet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbeten pjesë e diskutimeve mes aleatëve.







