×
Sunday, June 14, 2026

Trump dhe Macron takohen në G7, në fokus Ukraina dhe marrëveshja me Iranin

June 13, 2026


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të marrin pjesë në të njëjtin takim pune gjatë samitit të G7 që zhvillohet në Francë, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të avancojë negociatat për një marrëveshje me Iranin dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, Trump dhe Zelensky do të jenë të pranishëm në sesionin e punës të së martës, ndërsa nuk është planifikuar një takim zyrtar dypalësh mes tyre. Megjithatë, burimi amerikan nuk përjashtoi mundësinë e një takimi të shkurtër në margjinat e samitit.

Samiti i Grupit të Shtatë do të mbahet nga e hëna deri të mërkurën në Evian të Francës dhe pritet të dominohet nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë.

Pas përfundimit të samitit, Trump do të marrë pjesë në një darkë zyrtare me presidentin francez Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës. Sipas presidencës franceze, aktiviteti organizohet në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe simbolikës së miqësisë franko-amerikane, e cila lidhet me traktatin e vitit 1783.

Përveç takimit me Macron, presidenti amerikan do të zhvillojë bisedime dypalëshe edhe me liderët e Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Indisë.

Një zyrtar amerikan tha se Trump mbetet figura kyçe në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse nuk dha detaje mbi ndonjë iniciativë konkrete diplomatike.

Në qendër të diskutimeve të G7 pritet të jetë edhe përshpejtimi i negociatave mes SHBA-së dhe Iranit për një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Sipas burimeve amerikane, liderët mund të diskutojnë gjithashtu mbi sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe mundësinë e përfshirjes së Francës dhe Britanisë së Madhe në operacione të lidhura me sigurinë detare në rajon.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump synon të diskutojë me liderët e G7 edhe për inteligjencën artificiale, emigracionin, inovacionin teknologjik dhe sigurinë energjetike.

Samiti zhvillohet në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, me luftën në Ukrainë, krizën në Lindjen e Mesme dhe sfidat ekonomike globale që pritet të dominojnë axhendën e liderëve të vendeve më të industrializuara të botës.




Comments are closed.