Farage: Pa mua Brexit nuk do të kishte ndodhur kurrë, synoj të bëhem kryeministër
Lideri i Reform UK dhe një nga figurat më të njohura të Brexit-it, Nigel Farage, ka deklaruar se largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian nuk do të ishte realizuar pa rolin e tij politik, ndërsa ka shprehur bindjen se një ditë mund të bëhet kryeministër i vendit.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, në prag të 10-vjetorit të referendumit për Brexit-in, Farage kujtoi natën e votimit të vitit 2016, duke thënë se fillimisht mendonte se fushata për largimin nga BE-ja kishte humbur.
“Në orën katër të mëngjesit e kuptova se kishim fituar. Shkova për mëngjes me shampanjë në hotelin Ritz. Ishte një moment krenarie e jashtëzakonshme. E kam pritur që kur isha 20 vjeç. Pa mua, pa fushatat e mia dhe pa ndikimin që patën videot e mia në internet, Brexit nuk do të kishte ndodhur kurrë”, u shpreh ai.
Duke komentuar pasojat e Brexit-it, Farage argumentoi se largimi nga Bashkimi Evropian nuk është zbatuar plotësisht për shkak të qeverive që pasuan referendumin.
Sipas tij, konservatorët dështuan të përmbushnin premtimin për rikthimin e kontrollit mbi kufijtë dhe legjislacionin britanik.
“Britanikët votuan për të rimarrë kontrollin, por kjo nuk ndodhi. Ligjet tona vazhdojnë të ndjekin rregullat e BE-së dhe emigracioni është rritur. Konservatorët e tradhtuan vendin”, deklaroi ai.
Farage kritikoi ashpër edhe politikat e emigracionit, duke argumentuar se Mbretëria e Bashkuar po përballet me probleme të mëdha për shkak të flukseve migratore.
Ai tha se sistemi aktual i mirëqenies sociale është nën presion dhe se qeveria duhet të rishikojë politikat e përfitimeve për të huajt.
Lideri i Reform UK u ndal edhe te marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, duke theksuar se nuk mbështet rikthimin e Britanisë në bllok.
Sipas tij, çdo përpjekje e Partisë Laburiste për t’u afruar sërish me BE-në do të kishte kosto të lartë politike.
“Brexit ishte vendimi i duhur dhe rikthimi në Bashkimin Evropian nuk do të ndodhë. Britania duhet të ketë marrëdhënie të mira me Evropën, por jo të drejtohet nga Brukseli”, tha ai.
Gjatë intervistës, Farage komentoi edhe tensionet sociale në Britani, duke paralajmëruar se vendi mund të përballet me trazira më të mëdha nëse nuk adresohen problemet që lidhen me emigracionin dhe integrimin.
I pyetur për ambiciet e tij politike, ai u përgjigj prerazi se synon të marrë drejtimin e qeverisë britanike.
“A mendoj se do të bëhem kryeministër? Po. Përveç nëse shfaqet dikush më i mirë se unë”, deklaroi Farage.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Reform UK po fiton terren në sondazhet kombëtare, duke sfiduar partitë tradicionale britanike dhe duke u pozicionuar si një forcë e rëndësishme në skenën politike të Mbretërisë së Bashkuar.







