×
Saturday, June 13, 2026

Rama dënon sulmet ndaj Yll Limanit: Dhuna online po merr përmasa të rrezikshme

June 13, 2026


Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim të gjatë në rrjetet sociale lidhur me sulmet dhe kërcënimet online ndaj këngëtarit Yll Limani, pas koncertit të tij të fundit.

Rama e cilësoi të papranueshme fushatën e urrejtjes ndaj artistit dhe paralajmëroi se klima e krijuar në rrjetet sociale po shndërrohet në një formë të rrezikshme intolerance dhe presioni ndaj kujtdo që nuk ndan të njëjtat qëndrime me protestuesit.

Në reagimin e tij, kryeministri shkruan:

“NUK E NJOH YLL LIMANIN.

Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit; një formë degradimi e jetës publike në kanalet sociale tanimë e ngritur në një nivel të ri dhune në grup, që nuk duhet justifikuar, nuk duhet relativizuar dhe nuk duhet pranuar assesi me strukjen në qoshen e heshtjes, po duhet luftuar me forcën e fjalës.

Fakti është se po bie pak e nga pak histeria ndërkombëtare e rrjeteve sociale, e cila nuk ka asnjë lidhje me natyrën e Shqipërisë, me Zvërnecin a me flamingot e Nartës, por ushqehet nga kundërshtira ideologjike të sojsoshme, ku padyshim kundërshtia ndaj Presidentit amerikan është kryesorja fare – se ndryshe dyshoj shumë që një ndërkombëtar i vetëm do të merrej me një projekt zhvillimi turistik në Shqipëri. E s’ka si ndodh ndryshe, do bjerë pak e nga pak, sepse Shqipëria është një shesh shumë i vogël për përsheshin global anti-Trump!

Por nga ana tjetër po ngrihet përditë e më shumë një dallgë dhune verbale, plot presion, vulgaritet e kërcënime ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit e bulevardit, që nga thirrjet rrugëve ‘çohuni nga kafja’ se medemek atdheu ju thërret, tek thirrjet për të bllokuar rrugë se medemek kush do të bëjë punë të tjera duhet detyruar të merret me punën atdhetare të bulevardit, e deri tek një histeri intimiduese online në emër të atdheut që s’ka asnjë lidhje me elegancën e me paqen e flamingove!

Historia na ka treguar më shumë se sa njëherë dhe më shpesh se sa në një kohë, që kjo është pikërisht forma se si janë shfaqur historikisht shumë lëvizje të cilat më pas janë shndërruar në shembëlltyra të organizuara të intolerancës politike e sociale. Jo duke bindur me argumente logjikë, por duke u imponuar me presion pseudo-moral. Jo duke respektuar të drejtën e tjetrit për të menduar ndryshe, por duke e shpallur tradhtar, të shitur, armik të popullit apo bashkëpunëtor të së keqes këdo që nuk i nënshtrohet thirrjes pseudo-atdhetare.

Me auto-sugjestionin se vetëm një grup njerëzish zotëron të vërtetën absolute, ushqehet përçmimi ndaj shumicës që nuk bashkohet me ta dhe mbështetet ideja e ligë, se ata që nuk protestojnë duhen turpëruar, izoluar, penguar apo deri edhe largqoftë, dhunuar fizikisht derisa të detyrohen të zgjedhin anë. Dhe kështu demokracia nuk merr më shumë frymë, po fillon të humbasë pulsin e saj”.

Rama vijon më tej duke paralajmëruar se kur debati zëvendësohet nga intimidimi dhe përjashtimi, demokracia rrezikon të dëmtohet, ndërsa thekson se protesta është një e drejtë demokratike, por askush nuk duhet të sulmohet apo etiketohet për faktin se zgjedh të mos i bashkohet asaj.

Në fund të reagimit të tij, kryeministri bën thirrje për më shumë dialog, respekt ndaj mendimit ndryshe dhe refuzim të çdo forme dhune verbale, duke theksuar se Shqipëria duhet të ecë përpara përmes debatit demokratik dhe jo përmes përçarjes.




Comments are closed.