Sulmi amerikan në Bagdad, vritet gjenerali Iranian Soleimani
Vetëm dy ditë pas sulmit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak,u regjistrua një sulm pranë aeroportit të Bagdadit i cili kërcënon të shkaktojë një tjetër goditje në gjeopolitikën e brishtë të Lindjes së Mesme. Sulmi, i urdhëruar nga Donald Trump dhe i kryer me ndihmën e dronëve, vrau Qassem Soleimani, gjeneralin e fuqishëm iranian i cili qëndronte në krye të forca elitare të ushtrisë së Republikës Islamike. Kjo forcë special ishte e ngarkuar për të kryer operacione ushtarake jashtë vendit. Në të njëjtin sulm të amerikanëve u vra dhe Abu Mahdi al-Muhandis, numri 2 i rrjetit të milicisë Shiite.
Sulmi ndodhi menjëherë pas mesnatës, një breshëri raketash goditi dy automjete që ishin afër aeroportit. Burimet e sigurimit irakian sqaruan në mënyrë të menjëhershme që raketat kishin goditur një karvan të njësive special irakene dhe kishin vrarë tetë persona, përfshirë “figura të rëndësishme”. Muhandis ishte në ‘listën e zezë’ të Shteteve të Bashkuara, por Qassem Soleimani ishte viktima e cila mori vëmendjen më të madhe.
Soleimani njihej si një figurë pothuajse legjendare, një nga burrat më të fuqishëm në Lindjen e Mesme: gjeneral, strateg me ambicie politike, dhe shpesh shfaqej përkrah Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Megjithëkëtë ai gjithmonë ka lëvizur në hije, dhe konsiderohej armik i Sh.B.A-së dhe Izraelit. Ai konsiderohet arkitekt i shumë veprimtarive iraniane në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën në Siri dhe sulmet ndaj Izraelit. Irani, një vend tepër shiit, ka ushtruar një ndikim të madh mbi Irakun që kur u vra Saddam Hussein, i cili ishte Suni. Iraku që nga tetori i vitit të kaluar ishte tronditur nga protestat antiqeveritare dhe kundër Iranit, i cili akuzohej se vepronte prapa qeverisë. Kishte qenë pikërisht Soleimani, gjenerali i cili për të ndihmuar qeverinë të vinte situatën nën kontroll, do të kishte qenë disa herë në javët e fundit në Irak.
Në reagimin e tij Pentagoni u shpreh se aksioni për eliminimin e gjeneralit Soleimani ishte një urdhër i Presidentit Trump, me qëlim për të mbrojtur qytetarët amerikanë jashtë vendit. Sipas Pentagonit, Soleimani miratoi sulmet ndaj ambasadës amerikane në Bagdad që u zhvilluan këtë javë dhe konsiderohet përgjegjës për vdekjen e qindra ushtarëve të koalicionit dhe të amerikanëve.
Ambasada Amerikane në Bagdad ka paralajmëruar qytetarët e saj që të lënë vendin në mënyrë të menjëhershme sepse ata nuk mund të jenë më të sigurtë në Irak.
Të ashpra kanë qenë reagimet nga Teherani. Presidenti Hassan Rohani raportohet të ketë thënë se ‘Iranianët dhe kombet e tjera të lira do të hakmerren pa dyshim ndaj SHBA-ve, kriminalë për vrasjen e gjeneralit Qasseb Soleimani”. Akoma më i ashpër ka qenë lideri spiritual Ali Khamenei i cili i quajti të rënët martirë dhe u shpreh se ‘një hakmarrje e rëndë do të regjistrohet ndaj kriminelëve, SHBA-të’. Khameni shpalli tre ditë zie kombëtare për të rënët në sulmim amerikan në afërsi të aeroportit të Bagdadit.
Analistë të shumtë, njohes te rajonit, shprehen se sulmi i djeshëm do të provokojë një zinxhir dhune në Lindjen e Mesme, kjo për shkak edhe të reagimeve të ashpra që sulmi ka pasur në Iran. Ata shprehen se kundërpërgjigjia Iraniane do të ketë efekte katastrofike për rajonin e Lindjes së Mesme sepse skenare të tjera dhune janë të pritshme.
Eunews.al