Shqipëria ka shprehur solidaritetin e plotë me Holandën dhe Austrinë, pas sulmeve të fundit ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, të cilat kanë shkaktuar dëme në mjediset diplomatike të dy vendeve.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përmes një reagimi në platformën X, dënoi sulmet dhe theksoi se veprimet ushtarake ruse po rrezikojnë sigurinë e misioneve diplomatike dhe personelit të tyre në Ukrainë.
Sipas ministrit, këto incidente nuk janë raste të izoluara, pasi sulmet e përsëritura ndaj Kievit kanë vënë në rrezik edhe praninë diplomatike shqiptare në kryeqytetin ukrainas.
“Ky nuk është një incident i izoluar. Sulmet e përsëritura të Rusisë kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev, përfshirë edhe praninë diplomatike të Shqipërisë. Ne i njohim nga afër rreziqet dhe pasojat e sulmeve të tilla”, deklaroi Hoxha.
Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas së drejtës ndërkombëtare dhe se siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë, pavarësisht zhvillimeve ushtarake.
“Misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë. Çdo sulm që i vë ata në rrezik është i papranueshëm, duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh ministri.
Hoxha e cilësoi dëmtimin e mjediseve diplomatike si një tjetër pasojë të luftës që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës, duke akuzuar Moskën për shpërfillje të së drejtës ndërkombëtare.
“Këto goditje janë një tjetër dëshmi e karakterit të pakursyer të luftës së agresionit që Rusia po vijon kundër Ukrainës dhe e shpërfilljes së hapur të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi ai.
Në reagimin e tij, ministri riafirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës dhe bëri thirrje për një qëndrim të bashkuar të partnerëve ndërkombëtarë përballë agresionit rus.
“Ne duhet të mbetemi të bashkuar, të vendosur dhe të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe në qëndrimin tonë kundër agresionit rus”, përfundoi Hoxha.
Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të vazhdueshëm në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, duke u bashkuar me partnerët europianë dhe euroatlantikë në dënimin e agresionit rus.
Reagimi i fundit i diplomacisë shqiptare vë në qendër të vëmendjes edhe sigurinë e përfaqësive diplomatike në zonat e konfliktit, si dhe detyrimin për respektimin e normave ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e tyre.


