Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka garantuar se Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat e parashikuara nga ligji për mbrojtjen e rendit publik, institucioneve dhe bizneseve private, pas incidenteve të dhunshme që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit në Tiranë.
Në një lidhje televizive për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Demo u pyet për shqetësimin e bizneseve, disa prej të cilave kanë nisur të angazhojnë kompani private sigurie nga frika e sulmeve dhe dëmtimeve të pronës.
Ministri theksoi se garantimi i sigurisë është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, por kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
“Ju garantoj që Policia e Shtetit do të marrë të gjitha hapat, siç ka edhe detyrimin ligjor për të ruajtur rendin publik, por ne kërkojmë dhe bashkëpunimin e shoqërisë shqiptare”, deklaroi Demo.
Ai kritikoi grupet që, sipas tij, lëvizin të maskuara në kryeqytet dhe sulmojnë bizneset, duke kërkuar që përgjegjësia për aktet e dhunshme të mos ngatërrohet me ushtrimin e së drejtës për protestë.
“Unë ju garantoj që shteti do të bëjë gjithçka, konform ligjit, për të garantuar rendin publik”, theksoi ministri.
Demo: Studentët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht
Ministri i Brendshëm nënvizoi se e drejta për protestë do të respektohet dhe se studentët që dëshirojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre në mënyrë paqësore do të kenë mbështetjen e Policisë së Shtetit për garantimin e sigurisë.
“Unë kam qenë pedagog dhe i garantoj gjithë studentët, nëse duan të protestojnë, do ta kenë Policinë e Shtetit aty, për të garantuar që protesta e tyre të organizohet dhe të vazhdojë siç e mendojnë ata”, u shpreh Demo.
Megjithatë, ai bëri thirrje për distancim nga grupet që, sipas tij, organizohen për të sulmuar efektivët e policisë, institucionet publike dhe pronën private.
“Që të ketë grupe të organizuara për të dhunuar Policinë e Shtetit, për të dhunuar institucionet publike, për të dhunuar subjektet private, unë besoj që këtu ka ardhur momenti që vetë shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet”, deklaroi ministri.
Në përfundim, Demo kërkoi një qëndrim të qartë shoqëror kundër dhunës, duke theksuar se incidentet e tri ditëve të fundit duhet të trajtohen veçmas nga e drejta e qytetarëve për të protestuar.


