Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka denoncuar se është bërë objektiv i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve, të cilat ai i lidh me mbështetjen e qeverisë italiane për Ukrainën.
Sipas Euronews, përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tajani bëri të ditur se prej disa ditësh persona të paidentifikuar po shpërndajnë të dhënat e tij personale në rrjetin e errët, të njohur si “Dark Web”.
Ministri deklaroi se autorët po përpiqen të sigurojnë informacione të tjera personale, duke e ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe përpjekjeve për intimidim. Sipas tij, sulmet kanë prekur edhe anëtarë të familjes.
Tajani e lidhi incidentin me qëndrimin e Italisë në mbështetje të Ukrainës, duke theksuar se mbrojtja e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së një shteti sovran nuk duhet të bëhet shkak për kërcënime ndaj përfaqësuesve politikë.
Pas denoncimit, kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu solidaritetin me ministrin e Jashtëm.
Meloni e cilësoi publikimin apo shitjen e informacioneve konfidenciale të zyrtarëve publikë si një çështje serioze, që kërkon reagim të vendosur nga autoritetet.
Sulm kibernetik edhe ndaj projektit të tunelit të Brennerit
Ndërkohë, një tjetër incident kibernetik është raportuar ndaj kompanisë BBT SE, përgjegjëse për ndërtimin e tunelit bazë të Brennerit, një projekt strategjik hekurudhor që do të lidhë Innsbruckun në Austri me Fortezën në Itali.
Kompania konfirmoi se sulmi ndodhi më 17 tetor dhe se menjëherë pas zbulimit të tij u aktivizuan protokollet e sigurisë kibernetike.
Sistemet e prekura u izoluan, ndërsa specialistë të jashtëm u angazhuan për analizimin e incidentit dhe përcaktimin e përmasave të dëmit.
Sipas raportimeve, nga infrastruktura informatike e kompanisë janë vjedhur të dhëna jo publike.
Gazeta austriake “Tiroler Tageszeitung”, e cila raportoi fillimisht incidentin, bëri të ditur se dyshimet paraprake janë përqendruar te grupi i hakerëve pro-rusë “Everest”.
Megjithatë, përgjegjësia e këtij grupi për sulmin nuk është konfirmuar përfundimisht.
Dy incidentet kanë rikthyer vëmendjen te kërcënimet kibernetike ndaj zyrtarëve të lartë dhe infrastrukturës strategjike evropiane, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për identifikimin e autorëve.


