×
Sunday, June 7, 2026

Spaho shpërthen ndaj PD: A ka turp kjo parti? Në mëngjes kundër protestës, në drekë del pro; kanë hallin e karriges së pushtetit

June 7, 2026


Ish-deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër në një postim në Facebook ndaj qëndrimeve të Partisë Demokratike për protestën dhe investimin në Zvërnec.

Spaho thotë se PD është e pamoralshme dhe e pafytyrë sepse në mëngjes e mbështet investimin, kurse në drekë del kundër, duke iu referuar ndryshimit të qëndrimit të Sali Berishës sot.

Postimi i Spahos:

A ka turp kjo forcë politike?

Si mund të jesh kaq e pamoralshme dhe e pafytyrë?

Në mëngjes deklarohet kundër protestës dhe pro investimit në Zvërnec.

Në drekë deklarohet pro protestës dhe kundër investimit në Zvërnec.

Ndjen erën e kërmës dhe vrapon për copën e radhës.

Karrigia e pushtetit vlen mbi çdo gjë. Vërtet do ju pranojnë në protestë?

E keni humbur besimin e shqiptarëve dhe jeni katandisur si karavidhe.

Pa parime, pa turp, as skuqeni e as zverdheni, të zezës i thoni e bardhë dhe të bardhës e zezë.

A keni kokë, a keni logjikë, a keni mendje për të menduar, e aftë t’ju mbajë për të mos u turpëruar dhe diskredituar kaq shumë?

Kur flisni marrëzira, a mendoni për sakrificat 35-vjeçare të qindra mijëra demokratëve të cilët ju kanë besuar juve?

Kjo forcë politike e mbylli misionin e saj sepse prej kohësh ka braktisur interesat e qytetarëve dhe është kthyer në barrikadë e interesave të familjes.

Koha, historia dhe njerëzit po ju hedhin në kosh të plehrave, duke ju zëruar edhe ato të mira që keni bërë për vendin që nga themelimi i PD.

Sa keq! Sa turp!




Comments are closed.