×
Monday, May 18, 2026

Skënder Hita: Drogë dhe armë të ftohta pranë shkollave, urdhërohen masa emergjente

May 18, 2026


Drejtori i Policia e Shtetit, Skënder Hita, ka paralajmëruar për një situatë shqetësuese të sigurisë pranë shkollave, duke theksuar rritjen e rasteve me drogë dhe armë të ftohta.

Në një dokument të shpërndarë për të gjitha drejtoritë vendore, pranohet se gjatë vitit shkollor 2024-2025 janë evidentuar ngjarje brenda dhe pranë institucioneve arsimore, ku nxënës janë kapur me lëndë narkotike, armë të ftohta dhe sende të tjera të ndaluara, në disa raste edhe me pasoja.

Sipas dokumentit, strukturat policore nuk kanë siguruar informacion në kohë për shpërndarjen e drogës dhe nuk kanë organizuar kontrolle efektive. Po ashtu, është evidentuar mungesë bashkëpunimi me drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka urdhëruar masa emergjente në të gjithë vendin. Agjentë të policisë kriminale do të vendosen pranë shkollave, ndërsa do të zhvillohen kontrolle të befasishme nga strukturat antidrogë dhe forcat operacionale.

Gjithashtu, është kërkuar kapja në flagrancë e personave që shpërndajnë drogë pranë shkollave, si dhe intensifikimi i metodave speciale të hetimit. Në fokus do të jetë edhe përfshirja e strukturave të krimit ekonomik për të ndaluar shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit.




Comments are closed.