Scholz: BE do t’i përgjigjet ‘e bashkuar’ tarifave të SHBA-së
February 11, 2025



Kancelari gjerman, Olaf Scholz paralajmëroi sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës se Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i përgjigjet luftës tregtare.
“Nëse SHBA-ja nuk na lë asnjë alternativë tjetër, Bashkimi Evropian do të reagojë i bashkuar”, tha Scholz në një fjalim në parlament, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tarifa deri në 25% për çelikun dhe aluminin.
Scholz tha se BE-ja, me një popullsi prej rreth 450 milionë banorësh, përbën tregun më të madh në botë dhe ka fuqinë për t’u përgjigjur.
“Por, unë shpresoj se ne do të kursehemi nga qasja e gabuar e tarifave dhe kundërtarifave. Luftërat tregtare përfundojnë gjithmonë duke i kushtuar të dyja palëve prosperitet” shtoi ai.

