×
Thursday, April 16, 2026

Balla nga Vora: Do të vulosim përkatësinë europiane të Shqipërisë deri në 2030

April 15, 2026


Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla me zv. kryeministren Albana Koçiu zhvilluan një bashkëbisedim me qytetarët në Vorë, ku fokusi ishte integrimi europian dhe zhvillimi i vendit.

Në fjalën e tij, Balla vendosi theksin tek objektivi strategjik i anëtarësimit në Bashkimin Europian duke e cilësuar atë si sfidën më të madhe të vendit. “Shqipëria 2030 në BE – kjo është sfida e sfidave, jo për ne, por për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar, që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë duke vulosur përkatësinë europiane të Shqipërisë edhe duke siguruar anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh ai. Sipas Ballës, Shqipëria ndodhet në një moment kyç, duke shtuar se vendi është më pranë se kurrë realizimit të këtij objektivi.

Balla theksoi se integrimi europian lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke nënvizuar rritjen ekonomike dhe të ardhurat nga sektorë si turizmi, që sipas tij kanë krijuar më shumë mundësi për investime dhe zhvillim në nivel vendor.

Në vijim të fjalës së tij, Balla u ndal edhe tek procesi i rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke garantuar përfundimin e tij të plotë në Vorë. “90% e procesit të rindërtimit në Vorë ka përfunduar. Edhe familjet e mbetura do të përfitojnë shumë shpejt nga banesat e reja. Do ta mbyllim 100% procesin e rindërtimit në Vorë”, theksoi Balla.

Në përfundim, Balla falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe theksoi se sfida e integrimit europian dhe zhvillimit ekonomik kërkon bashkëpunim të gjerë dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha nivelet e qeverisjes.




Comments are closed.