×
Wednesday, December 11, 2024

“Sanksionet e BE-së synojnë të dobësojnë bazën ekonomike të Rusisë” 

February 24, 2022



Mes ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se sanksionet e bllokut kundër Moskës kanë për qëllim “të dobësojnë bazën ekonomike të Rusisë”.

Duke theksuar se “pakoja e sanksioneve masive” kundër Rusisë do t’u paraqitet liderëve evropianë për miratim, von der Leyen tha se, “Me këtë paketë do të synojmë sektorët strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar qasjen e tyre në teknologji dhe tregje që janë kyçe për Rusinë”.

Gjatë një konference për media me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, von der Leyen theksoi se BE-ja synon “të dobësojë bazën ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar”.

Deklaratat e saj erdhën pas raportimeve për shpërthime në disa provinca të Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, dhe njoftimeve për kalimin e tankeve nga Bjellorusia në Ukrainë sot herët.

Shefi i Komisionit të BE-së tha gjithashtu se blloku “do të ngrijë asetet ruse në BE dhe do të ndalojë qasjen e bankave ruse në tregjet financiare evropiane”.

Pakoja e ardhshme e sanksioneve është e lidhur ngushtë me vende si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Kanadaja, si dhe Japonia dhe Australia, vuri në dukje ajo.

“Këto sanksione janë të dizajnuara për të shkaktuar një taksë të rëndë mbi interesat e Kremlinit dhe aftësinë e tyre për të financuar luftën”, shtoi Von der Leyen.

Duke i bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që “të ndalojë menjëherë dhunën dhe të tërheqë trupat nga territori i Ukrainës”, zyrtarja e BE-së theksoi se “nuk do ta lejojnë presidentin Putin të shkatërrojë arkitekturën e sigurisë që i ka ofruar Evropës paqe dhe stabilitet gjatë shumë dekadave”.

“Ai nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë dhe forcën e demokracive tona”, tha ajo, duke shprehur solidaritetin e bllokut me Ukrainën dhe popullin e saj.

Nga ana e tij, Borrell i përshkroi zhvillimet e fundit në Ukrainë si “orët më të errëta të Evropës” që nga Lufta e Dytë Botërore.

“BE-ja do të përgjigjet në format më të fuqishme të mundshme dhe do të dakordohet për pakon më të ashpër të sanksioneve që kemi zbatuar ndonjëherë”, tha ai, duke i kërkuar presidentit rus të “ndalojë këtë agresion të pakuptimtë”.

Borrell vuri në dukje se ai do të flasë me aleatët në mbarë botën për të siguruar që komuniteti ndërkombëtar të kuptojë plotësisht peshën e situatës. “Udhëheqja ruse do të përballet me izolim të paprecedentë”, pohoi ai.

Ndërhyrja e Rusisë erdhi vetëm disa ditë pasi ajo njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore, duke shkaktuar dënimin ndërkombëtar dhe kërcënimet për sanksione më të ashpra ndaj Moskës.

Në muajt e fundit Rusia kishte grumbulluar mbi 100 mijë trupa rreth Ukrainës, por presidenti Vladimir Putin në mënyrë të përsëritur kishte mohuar se ka ndonjë qëllim për ndërhyrje ushtarake.




Comments are closed.