Rama në Dhomën e Tregtisë së Katalonjës: Shqipëria nga “njollë e errët”, në destinacion të preferuar turistik të rinisë spanjolle
Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Spanjë, u prit sot në Barcelonë në Dhomën e Tregtisë së Katalonjës.
Rama vuri në dukje rritjen e interesit për Shqipërinë, duke përcjellë foton nga takimi.
Sipas tij, imazhi i Shqipërisë në Spanjë ka ndryshuar ndjeshëm, nga një perceptim negativ në të kaluarën, në një vend që sot shihet si një nga destinacionet e preferuara turistike për të rinjtë spanjollë.
Rama shton gjithashtu se marrëdhëniet shtetërore mes Shqipërisë dhe Spanjës ndodhen në një nivel që, sipas tij, “s’kanë qenë kurrë më të mira”.
“U pritëm me nderim të veçantë nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës, e ku u ndjemë krenarë për respektin dhe interesimin për Shqipërinë, emri i së cilës kur vije në Spanjë deri jo shumë vite më parë ishte sinonim i një njolle të errët në hartën e Europës, ndërsa sot është emri i një prej destinacioneve të preferuara turistike të rinisë spanjolle, ndërkohë që marrëdheniet shtetërore me Spanjën s’kanë qenë kurrë më të mira”, shkruan Rama.
Rama ndodhet në Spanjë me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, për të marrë pjesë në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.







