×
Wednesday, June 24, 2026

Rutte: 500 avionë amerikanë u nisën nga bazat në Itali për sulmet ndaj Iranit, shpërthen debati politik në Romë

June 24, 2026


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se rreth 500 avionë ushtarakë amerikanë u ngritën nga bazat amerikane në Itali gjatë operacioneve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke shkaktuar reagime të forta politike në Romë.

Duke folur për Fox News përpara takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, Rutte tha se vendet aleate të NATO-s vunë në dispozicion bazat e tyre ushtarake për operacionin e njohur si “Epic Fury”.

“Vend pas vendi, aleat pas aleati, kanë vënë në dispozicion bazat e tyre. Kjo do të thotë se mijëra avionë, mes 4 mijë dhe 5 mijë, janë nisur nga bazat europiane për të mbështetur operacionin”, deklaroi Rutte.

Ai theksoi gjithashtu se Europa vazhdon të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve amerikane.

“Europa është një platformë e projeksionit të fuqisë për Shtetet e Bashkuara”, u shpreh kreu i NATO-s.

Deklaratat e tij kanë shkaktuar polemika në Itali, pasi qeveria e kryeministres Giorgia Meloni kishte deklaruar më herët se bazat ushtarake amerikane në territorin italian do të përdoreshin vetëm për fluturime logjistike dhe teknike, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe mes Romës dhe Uashingtonit.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, reagoi menjëherë duke kundërshtuar deklaratat e Ruttes.

“Vetëm fluturimet në përputhje me traktatet janë autorizuar. Mesazhi i Ruttes është plotësisht i pavërtetë”, deklaroi Ministria italiane e Mbrojtjes përmes një komunikate zyrtare.

Megjithatë, opozita italiane kërkoi sqarime të menjëhershme nga qeveria.

Deputeti i Partisë së Gjelbër, Angelo Bonelli, akuzoi kryeministren Meloni se ka fshehur informacion nga qytetarët dhe Parlamenti.

“Meloni ka mashtruar italianët dhe Parlamentin. Ajo duhet të sqarojë menjëherë se çfarë ka ndodhur dhe të raportojë para deputetëve”, deklaroi Bonelli.

Debati vjen në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët europianë për mbështetjen që ai e konsideron të pamjaftueshme ndaj operacioneve amerikane dhe izraelite kundër Iranit.

Përveç Italisë, Rutte përmendi edhe Rumaninë si një nga vendet që ka luajtur rol të rëndësishëm në operacion. Sipas tij, aeroportet rumune reduktuan trafikun civil për t’i dhënë prioritet operacioneve ushtarake të avionëve furnizues.

Kreu i NATO-s vlerësoi gjithashtu kontributin financiar të vendeve europiane në Aleancë, duke e cilësuar atë si “gjigant” dhe “mbresëlënës”, megjithëse nuk dha shifra konkrete.

Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton reduktimin e pranisë ushtarake në Europë, në kuadër të një strategjie që synon t’u japë vendeve europiane më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Gjatë intervistës, Rutte komentoi edhe zhvillimet diplomatike me Iranin, duke mbështetur qasjen e presidentit Trump.

“Mendoj se presidenti Trump bëri pikërisht atë që duhej të bënte në raport me Iranin. Besoj gjithashtu se ai ka të drejtë të ecë përpara drejt një marrëveshjeje”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Deklaratat e Ruttes pritet të shtojnë presionin politik mbi qeverinë italiane, ndërsa opozita kërkon transparencë të plotë mbi rolin që kanë luajtur bazat ushtarake amerikane në Itali gjatë operacioneve kundër Iranit.




Comments are closed.