Ruçi: Shqipëria, e vendosur drejt destinacionit të saj europian



Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu sot mirënjohjen që vendimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë u mor gjatë mandatit të Komisionerit të Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi. Duke e ftuar atë në foltoren e Kuvendit për të mbajtur fjalën përshëndetëse, Ruçi nënvizoi se prania e tij në Kuvend vjen vetëm një ditë pasi prezantoi paketën e zgjerimit të BE-së për vitin 2020, si dhe planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
“Ju vlerësuat reformat e Shqipërisë dhe bëtë thirrje për vazhdimin e tyre”, u shpreh Kryeparlamentari.
Komisioneri viziton Kuvendin e Shqipërisë vetëm 2 ditë pasi u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas Ruçit, “iu afruam maksimalisht sa ishte e mundur projekteve të opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare dhe çka është më kryesorja, realizimit të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për më shumë vendimmarrje në votimin e përfaqësuesve në legjislativ”.
“Ne jemi tërësisht të angazhuar për këtë proces duke plotësuar kështu hap pas hapi të gjitha rekomandimit e BE-së. Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar si objektiv ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti. Dëshiroj t’u siguroj se edhe për rekomandimet dhe përparësitë e tjera që ka caktuar BE dhe ju i nënvizuat në prezantimin e datës 6 tetor, ne po punojmë me të njëjtin ritëm e të njëjtën përgjegjësi”, deklaroi Ruçi.
Para pak ditësh, informoi ai, ju kam nisur një letër të gjithë kryetarëve të parlamenteve të vendeve europiane, ku i informoja me hapat e deritanishme dhe iu bëja të njohur rezolutën e Kuvendit dhe planin e masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE-së, miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Shqiptarët dhe popujt e Ballkanit Perëndimor ju janë mirënjohës për vlerësimin që ju u bëni si bashkëmbartës të vlerave europiane dhe atyre perëndimore. Këto vite do të shënohen në kujtesën europiane si vitet ku popujt e Ballkanit Perëndimor, të përjashtuar me forcë nga harta e politikës europiane, po rikthehen në të, me shumë dëshirë dhe entuziazëm në familjen e tyre. Të gjithë duhet të ndjehemi krenarë që po kontribuojmë që kufijtë politikë europianë të afrohen me kufijtë kulturor dhe qytetërues të tyre”, tha Kreu i Parlamentit, Ruçi.
Pasi fjalës së Komisionerit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Ruçi e garantoi atë se “Shqipëria do të ecë e vendosur drejt destinacionit të saj europian duke merituar mbështetjen e BE-së, të vendeve anëtare si dhe tuajën me arritjet dhe me standardet e matshme dhe të dukshme”.
Eunews.al

