Rritja e kostove mbyll çdo ditë 25 restorante në Francë

27 Aug 2026 19:33
Shpërndaje:

Rreth 25 restorante mbyllen çdo ditë në Francë, ndërsa sektori i hotelerisë dhe gastronomisë po përballet me kosto të larta operative dhe përfitueshmëri të ulët, tha të enjten një përfaqësues i shquar industrisë.

Thierry Marx, kreu i Unionit të Profesioneve dhe Industrive të Hoteleve, tha se kontributet e punëdhënësve po rëndojnë ndjeshëm mbi vendet e punës dhe pagat në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve, ku punojnë rreth 1,6 milion persona.

Kuzhinieri i vlerësuar me yll Michelin tha se procedurat e paaftësisë paguese për restorantet tradicionale, përfshirë ristrukturimin, likuidimin dhe procedurat mbrojtëse, janë rritur me 6,4 për qind në tremujorin e dytë.

Reklamë Ola

Përfitueshmëria mesatare në sektor është vetëm rreth 2-3 për qind, duke u lënë bizneseve shumë pak mundësi për të investuar, tha ai për televizionin francez LCI.

“Besoj se barra është shumë e rëndë për punëdhënësit dhe punonjësit. Kur një punonjës merr 3.000 euro bruto, kjo i kushton punëdhënësit 6.000 euro, ndërsa punonjësi në të vërtetë merr vetëm pak më shumë se 2.000 euro”, tha Marx.

Reklamë InterMedika

Marx kundërshtoi gjithashtu fuqishëm propozimet për rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për të ndihmuar në financimin e sistemit të mirëqenies sociale të Francës.

“Ne i kushtojmë shumë vëmendje vijës së kuqe sa i përket TVSH-së”, tha ai.

Shkalla e TVSH-së aktualisht është 10 për qind për restorantet ku klientët hanë në ambientet e tyre dhe 5,5 për qind për pikat e ushqimit të shpejtë.

Marx tha se tregu i ushqimit të shpejtë ka tejkaluar sektorin e restoranteve tradicionale gjatë dy viteve të fundit, duke paralajmëruar se Franca po përjeton gradualisht një proces të “degastronomizimit”, pasi bizneset e pavarura të drejtuara nga kuzhinierë po zëvendësohen nga zinxhirët.

Aktiviteti i restoranteve në rajonet Gironde dhe Landes gjithashtu ka rënë me 40 për qind për shkak të zjarreve të mëdha, tha Marx, duke bërë thirrje për mbështetje që bizneset e prekura të mund të rimëkëmben përpara verës së ardhshme.