×
Friday, March 28, 2025

Rritet Produkti i Brendshëm Bruto i Shqipërisë

December 25, 2019


Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2019 vlerësohet me rritje, në krahasim me vitin e kaluar.

Drejtoresha e përgjithshme e komanduar e Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), Elsa Dhuli, në një konferencë për mediat tha se PBB në tremujorin e tretë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 3,81 për qind, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2018.

Ajo tha se kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë sektorët transporti, akomodimi, shërbimi ushqimor, administrata publike, arsimi, shëndetësia, industria, energjia dhe uji.

“Aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit pati një rritje me 0,87 për qind. Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati një rritje me 5,85 për qind. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë industria nxjerrëse e cila ka shënuar një rritje me 16,56 për qind. Aktiviteti i ndërtimit pati rënie me 1,14 për qind, i ndikuar kryesisht nga kompanitë e lidhura me projektin TAP”, tha Dhuli.

Komponentët kryesorë të PBB-së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, janë konsumi final i popullatës dhe konsumi final i qeverisë.

Nga ana tjetër, sipas INSTAT, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 10,06 për qind, ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3,60 për qind.

AA

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments