×
Sunday, July 12, 2026

Rama: Zogaj, fshat artizanësh, peshkatarësh, atraksion turistik i Shkodrës

June 17, 2025


Fshati Zogaj, 3-4 kilometra përtej Shirokës në Shkodër, është i njohur prej shekujsh për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër, por edhe për punën në tezgjah, ku artizanët nuk e kanë harruar traditën duke punuar çdo gjë me dorë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video nga ky fshat i Shkodrës, i cili po vizitohet nga turistë të shumtë.

Rama theksoi se fshati Zogaj është një prej gjashtë fshatrave të Shqipërisë që aplikojnë për programin “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, duke prezantuar identitetin, jetën, ngjyrat dhe përvojat e jashtëzakonshme të Shqipërisë rurale.

“Zogaj, fshati i artizanëve, peshkatarëve dhe një prej atraksioneve më të veçanta turistike të Shkodrës, zbulon thesaret e tij natyrore e kulturore edhe si një prej gjashtë fshatrave të Shqipërisë që aplikojnë për programin “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, duke prezantuar identitetin, jetën, ngjyrat dhe përvojat e jashtëzakonshme të Shqipërisë rurale”, shkruan Rama.

Ky fshat kufizohet nga veriu me liqenin e Shkodrës, nga jugu me malin e Taraboshit, nga lindja me lumin Buna dhe nga perëndimi me kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionalë, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.




Comments are closed.