Rama: Shqipëria në fazën finale të integrimit në BE, prezantohet kompania e re publike për transformimin dixhital
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar episodin e radhës të podcastit “Flasim”, ku u ndal gjerësisht te ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, zhvillimet e fundit në negociatat me Bashkimin Europian, si dhe projektet strategjike që qeveria synon të realizojë deri në fund të kësaj dekade.
Rama e nisi fjalën e tij duke kujtuar 26 majin e vitit 1996, datë që sipas tij simbolizon një nga momentet më të errëta të historisë politike të vendit, për ta krahasuar më pas me 26 majin e këtij viti, kur Shqipëria hyri në fazën e fundit të procesit negociues për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Javën që lamë pas, pikërisht më 26 maj, si për një ironi apo buzëqeshje të fatit, 30 vjet pas 26 majit të dhunës, të përgjakjes së opozitës, të grabitjes së votave dhe të vulosjes së një sundimi autokratik me tipare diktatoriale në Shqipëri, erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian, duke mbyllur fazën e çeljes së kapitujve të negociatave dhe duke hapur fazën e mbylljes së tyre”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se vendi ndodhet sot në pikën më të lartë të rrugëtimit të tij europian dhe se objektivi i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian është më afër se kurrë më parë.
“Pra, më 26 maj, Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë në këtë të përpjetë të mundimshme historike dhe tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian sot, por për atë që ishte hapësira e diellit që lind andej nga perëndon deri dje, është më afër se asnjëherë”, u shpreh ai.
Duke folur për hapat e mëtejshëm, Rama bëri të ditur se menjëherë pas avancimit të procesit negociues, qeveria ka miratuar një sërë dokumentesh strategjike që lidhen me zhvillimin afatgjatë të vendit dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në familjen europiane.
Sipas tij, një nga dokumentet më të rëndësishme është Udhërrëfyesi Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, i cili përcakton objektiva konkrete dhe të matshme në fusha si ekonomia, arsimi, shëndetësia, mjedisi, mirëqeverisja dhe cilësia e jetës së qytetarëve.
“Menjëherë pas asaj dite të shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne jemi ulur dhe kemi miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj dekade”, tha Rama.
Ai njoftoi gjithashtu miratimin e një partneriteti strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027-2031, i cili do të mbështesë Shqipërinë në fusha kyçe të zhvillimit, duke filluar nga kapitali njerëzor dhe transformimi ekonomik, deri te rritja e gjelbër, drejtësia dhe forcimi i institucioneve.
Rama theksoi se procesi i integrimit europian nuk duhet parë thjesht si një marrëdhënie teknike mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian, por si një transformim i thellë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
“Shpesh integrimi europian, rruga e negociatave, përmbushja e detyrave për kapitujt përkatës, shihen vetëm si një proces i ndarë, si një proces që lidhet me ndërveprimin mes nesh dhe Komisionit Europian, por në fakt integrimi është shumë më tepër se kaq. Ai lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me aftësinë tonë për të ndërtuar institucione më të forta, për të investuar te njerëzit, për të planifikuar zhvillimin afatgjatë, por edhe me domosdoshmërinë për ta përgatitur Shqipërinë, për ta jetësuar në hapësirën e republikës sonë vendin e standardeve dhe të përgjegjësive të shtetit në raport me qytetarin dhe të qytetarit në raport me shtetin”, deklaroi ai.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së kryeministrit iu kushtua transformimit dixhital të administratës publike. Rama prezantoi kompaninë e re publike “Albanian Digital Solutions” (ADS), e cila sipas tij do të luajë një rol kyç në zhvillimin e sistemeve dixhitale dhe inovacionit teknologjik në sektorin publik.
“Këtë javë prezantuam edhe një kompani të re publike, ‘Albanian Digital Solutions’, një kompani të re publike që shënon fazën e re të transformimit dixhital të shtetit shqiptar”, tha ai.
Sipas Ramës, pas dixhitalizimit të mbi 1200 shërbimeve publike përmes platformës e-Albania, tashmë synimi është krijimi i kapaciteteve të reja teknologjike që do të transformojnë më tej qeverisjen elektronike dhe funksionimin e institucioneve.
Ai shpjegoi se ADS do të funksionojë si një qendër ekselence për profesionistët shqiptarë të teknologjisë, duke prodhuar zgjidhje inovative për administratën publike dhe duke garantuar mirëmbajtjen e sistemeve dixhitale shtetërore.
“Kemi hedhur një tjetër hap për të hyrë në një etapë ku tanimë kapacitetet e reja teknologjike do të na japin mundësinë që të transformojmë thellësisht edhe qeverisjen elektronike të vendit, duke krijuar, në shërbim të këtij qëllimi, një kompani publike që do të jetë një qendër ekselence për talentet shqiptare të teknologjisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se interesimi për inovacionin dhe sipërmarrjen teknologjike në Shqipëri është në rritje, duke përmendur se vetëm në ciklin e fundit të programit “Startup Albania” janë regjistruar mbi 1100 aplikime për mbështetje financiare.
“Sot kemi një rritje të ndjeshme të aplikimeve për programet e inovacionit. Mbi 1100 aplikime kanë ardhur vetëm në ciklin e fundit të granteve për programin ‘Startup Albania’ dhe të gjitha këto na tregojnë se kemi fituar gradualisht një terren ku e kemi nisur edhe në këtë pikë nga fundi i fundit dhe sot kemi një vend në hartën europiane dhe globale të inovacionit për sa i përket sektorit publik”, deklaroi ai.
Në përfundim, Rama theksoi se ndarja e roleve mes AKSHI-t dhe kompanisë së re ADS do të shërbejë për të përshpejtuar modernizimin e administratës publike dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“AKSHI do të jetë drejtuesi, rregullatori dhe monitoruesi i cilësisë, ndërsa ‘Albanian Digital Solutions’, ADS-ja, do të jetë praktikisht truri që do të prodhojë në mënyrë të vazhdueshme zgjidhjet e nevojshme dhe, nga ana tjetër, do të garantojë mirëmbajtjen e sistemeve tona”, përfundoi kryeministri.







