×
Friday, October 11, 2024

Rama në Forumin e Diplomacisë në Antalja: E rëndësishme ruajtja e paqes në Ballkanin Perëndimor 

March 11, 2022


Kryeministri Edi Rama theksoi sot nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që vendet në këtë rajon të punojnë ngushtë për të bërë gjithçka është e mundur për të mos lejuar që çfarëdo lloj ndikimi apo ideje që mund të prekë, përmes çdo lloj veprimi Ballkanin Perëndimor, të gjejë hapësirë.

Kryeministri Rama mori pjesë në panelin “Rrugët Rajonale dhe Globale për Paqe dhe Prosperitet”, pjesë e Forumit të Diplomacisë me gazetaren Maria Ramos, në Antalia, Turqi.

“Nuk ka asnjë dyshim që ajo çfarë ka ndodhur me pushtimin e Ukrainës nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Qëndresa e Ukrainasve është më shumë qëndresë për vendin e tyre. Është qëndresë për ato vlera dhe mënyrë jetese që është edhe e jona. Sigurisht Ballkani Perëndimor ku jetojmë është një pjesë e prekshme e të gjithë organizmit të Evropës, sepse është një kombinim midis vendesh të NATO-s, jo anëtare të NATO-s dhe midis vendesh me histori të ndryshme lidhur me aleancat e tyre. Sigurisht është shqetësuese”, u shpreh Rama.

Rama informoi se gjatë takimit të zhvilluar me presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan kishte biseduar lidhur me nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor.

“Unë sapo dola nga një takim me presidentin Erdogan, ku diskutuam saktësisht lidhur me nevojën për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të punuar ngushtë midis nesh në Ballkanin Perëndimor dhe për të bërë gjithçka mundemi për të mos lejuar që çfarëdo lloj ndikimi apo ideje që mund të prekë përmes çdo lloj veprimi Ballkanin Perëndimor të mos gjejë hapësirë“, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se procesi i hapjes së Ballkanit, e sjelljes së vendeve bashkë, për një të ardhme më të mirë, për zbatimin midis vendeve të 4 lirive të Evropës, ishte hapi i duhur për t’u hedhur.

“Unë besoj se ajo që ka nisur tashmë si proces hapjeje i Ballkanit, i sjelljes së vendeve bashkë, për një të ardhme më të mirë, për zbatimin në vendet tona dhe midis vendeve tona të 4 lirive të Evropës, ishte hapi i duhur për t’u hedhur, ndërsa e shohim veten në këtë situatë. Është shumë e rëndësishme të punojmë fort për të ruajtur atë që kemi arritur, për të ecur para, pa rënë pre e provokimeve dhe pa rënë pre e lëvizjeve të cilat mund të mos jenë lëvizje të duhura, në kohën e duhur, pa harruar në të vërtetë që në fund të fundit, ne jemi aty në mes të Evropës dhe e ardhmja jonë është në Evropë. Dhe sigurisht, me tre vende të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipëria, është shumë e rëndësishme ajo çka bëjmë dhe më pas, kur je i qartë për atë çka bën, pjesa tjetër është më pak shqetësuese”, tha Rama.

Rama tha se Ballkani Perëndimor është vulnerabël për një sërë arsyesh.

“Ballkani Perëndimor është vulnerabël për një sërë arsyesh. Sepse kemi pasur një histori ndryshe nga historitë e vendeve që tashmë janë anëtare të BE-së. Po të flas për Shqipërinë, ajo ka pasur një histori krejt ndryshe, sepse ne kishim një regjim komunist, i pakrahasueshëm me pjesën tjetër të perandorisë komuniste në Evropë. Shqipëria qe Koreja e Veriut të Evropës, nuk kishim raketa, por mund të na çonin në burg për shkak të Elton John”, u shpreh ai.

Kryeministri u ndal edhe në përpjekjet që ka bërë vendi ynë për t’u bërë pjesë e BE-së ku theksoi se kjo përpjekje po bëhet e ndërlikuar për shkak të vetë BE-së.

“Ne dolëm nga kjo e shkuar tejet e errët dhe ja ku jemi duke bërë përpjekje për t’u bërë pjesë e BE-së, një përpjekje që po bëhet gjithmonë e më e ndërlikuar për shkak të vetë BE-së”, tha ai.

Rama foli edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, të cilën ai e cilësoi si vulnerabël, ndërsa shpjegoi edhe pse ai e sheh të tillë.

“Në të njëjtën kohë, na duhet që të merremi edhe me ndikimin e aktorëve të tretë, mes të cilëve, një është edhe Rusia, jo në Shqipëri saktësisht, sepse në Shqipëri i kemi pasur më parë dhe ndaj nuk biem pre e kësaj miqësie, por në vende të tjera. Në këtë pikë Ballkani Perëndimor është vulnerabël, qoftë edhe për shkak të dallimit ekonomik me pjesën tjetër të Europës. Kështu mendoj se na duhet të kuptojmë se fati ynë është pikë së pari në duart tona, dhe na duhet të punojmë për të përqendruar rajonin gjithmonë e më tepër drejt një së ardhmeje të përbashkët dhe për t’u siguruar që çdo fqinj e çdo marrëdhënie fqinjësie të bëhet kaq e rëndësishme, sa asnjë faktor i jashtëm të mos e cenojë atë”, deklaroi kryeministri.




Comments are closed.